Plot 93,7% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut përdorin internetin

Në tremujorin e parë të vitit 2026, 93,7 për qind e popullsisë së përgjithshme në vend, të moshës 15 deri në 74 vjeç, kanë përdorur internetin, tregojnë të dhënat për përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) në amvisëri dhe nga individët, të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Në të njëjtën periudhë, 91,2 për qind e amvisërive kanë pasur qasje në internet nga shtëpia.
Të dhënat tregojnë përdorim të gjerë të internetit dhe shërbimeve digjitale në jetën e përditshme, si dhe nivel të lartë të qasjes në internet në amvisëritë në vend.

81,2 për qind e popullsisë e kanë përdorur internetin disa herë gjatë ditës. Po aq, 81,2 për qind, kanë porositur ose blerë mallra apo shërbime përmes internetit gjatë 12 muajve të fundit.

Sa i përket përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit, pjesëmarrjen më të lartë, prej 93,5 për qind, e zënë telefonatat përmes internetit dhe videotelefonatat, përmes kamerave të internetit dhe aplikacioneve si Skype, FaceTime, Messenger, WhatsApp, Viber dhe Snapchat.

Ndërkaq, shkëmbimi i mesazheve zë 88,4 për qind, kryesisht përmes aplikacioneve Skype, Messenger, WhatsApp dhe Viber.