Më 15.10.2026, Njësia për Kriminalitet Financiar pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka paraqitur kallëzim penal kundër I.S. (47) nga Shkupi për „përvetësim në detyrë“ (neni 354 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1) dhe „pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale“ (neni 273 paragrafi 1) të Kodit Penal dhe kundër një personi juridik nga Shkupi për „pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale“ (neni 273 paragrafi 1) të Kodit Penal.
I.S., në cilësinë e personit të autorizuar të personit juridik të kallëzuar, i cili kishte autorizim për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, gjatë periudhës nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, me qëllim që për vete të përfitonte kundërligjshëm dobi pasurore në vlerë prej 6.803.900 denarësh, kishte përpiluar dhe dorëzuar raporte të rreme për kompensimet e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve pranë Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Kryqit të Kuq, Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe komunave.
Përpilimi i raporteve dhe falsifikimi i të dhënave ishin kryer në bashkëveprim me personin S.S., të cilët si persona të autorizuar për përpilimin dhe nënshkrimin e faturave dhe dorëzimin e raporteve pranë institucioneve kompetente me qëllim të fshehjes së mjeteve financiare të arkëtuara nëpërmjet dy personave juridikë dhe një shoqërie brokerimi sigurimesh nga Shkupi, në llogaritë e të cilëve arkëtoheshin kompensimet e parapara, më pas kishin fshehur origjinën e parave duke i transferuar ato nga njëra llogari në tjetrën të personave juridikë dhe duke i përzier me të ardhurat nga veprimtaria e rregullt mbi baza të ndryshme (hua, kontrata për ndërtim të përbashkët të pasurive të paluajtshme, kontrata për shitblerjen e pasurive të paluajtshme dhe automjeteve, si dhe transfere të mjeteve financiare), me qëllim të blerjes së pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme me një pjesë të mjeteve financiare të përfituara nga veprimtaria kriminale në dobi të personit juridik të kallëzuar.
Me veprimet e shënuara, I.S. ka përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 6.803.900 denarësh në raport me kompensimet e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve në dëm të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.


