Hulumtimi, i zhvilluar me një mostër prej 1.057 të anketuarish në 26 shkolla, synon të japë një pasqyrë të përhapjes së ngacmimit seksual mes të punësuarve në sektorin e arsimit. Sipas rezultateve të deritanishme, çdo i njëmbëdhjeti punonjës i shërbimit teknik, apo rreth 9 për qind, ka deklaruar se ka përjetuar prekje të padëshiruara, ndërsa gratë mësuese janë 4.6 herë më shumë të shqetësuara nga ngacmimet seksuale sesa kolegët e tyre burra.
Punonjësit e shërbimeve teknike dhe administrative janë më të ekspozuar ndaj ngacmimit seksual në sektorin e arsimit, ndërsa personeli teknik është pothuajse tri herë më i ekspozuar se mësimdhënësit. Këto janë disa nga rezultatet fillestare të hulumtimit të realizuar në kuadër të projektit “Violet”, të prezantuara nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD). Hulumtimi, i zhvilluar me një mostër prej 1.057 të anketuarish në 26 shkolla, synon të japë një pasqyrë të përhapjes së ngacmimit seksual mes të punësuarve në sektorin e arsimit. Sipas rezultateve të deritanishme, çdo i njëmbëdhjeti punonjës i shërbimit teknik, apo rreth 9 për qind, ka deklaruar se ka përjetuar prekje të padëshiruara, ndërsa gratë mësuese janë 4.6 herë më shumë të shqetësuara nga ngacmimet seksuale sesa kolegët e tyre burra.
“Shkolla duhet të jetë një vend i sigurt jo vetëm për nxënësit, por edhe për secilin që punon në të. Ngacmimi seksual nuk është shaka dhe as problem privat – ai është diskriminim i ndaluar me ligj. Secili që e ka përjetuar apo ka qenë dëshmitar mund t’i drejtohet Komisionit”, theksoi Zekir Abdulov, nënkryetar i KPMD-së.
Abdulov sqaroi se, sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ngacmimi seksual përbën një formë diskriminimi, ndërsa punëdhënësi ka detyrim të ndërmarrë masa për parandalimin e tij. Komisioni tashmë po vepron lidhur me parashtresat e dorëzuara në këtë fushë. Në kuadër të projektit “Violet”, gjatë muajve të ardhshëm do të zhvillohen edhe fushata mediatike për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit për ngacmimin seksual, njohjen e tij dhe mënyrat e raportimit.
KPMD-ja në bashkëpunim me projektin “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, si dhe aktiviteteve dhe mjeteve të reja të Komisionit për njohjen, ka prezantuar Qendrën e Burimeve për barazi dhe mosdiskriminim. Kjo është një platformë falas dhe lehtësisht e qasshme në internet, e cila bashkon në një vend hulumtime, publikime, raporte, dokumente juridike, udhëzues dhe materiale të tjera relevante nga kjo fushë. Qëllimi, sipas KPMD-së, është që informacionet, të cilat deri më tani gjendeshin në burime të ndryshme, të bëhen më të qasshme dhe më të përdorshme për institucionet, profesionistët e drejtësisë, hulumtuesit, organizatat e shoqërisë civile, mediat, hartuesit e politikave dhe publikun e gjerë.Qendra është konceptuar si një platformë dinamike, e cila do të plotësohet vazhdimisht. Përveç qasjes në materialet tashmë të publikuara, ajo mundëson shpërndarjen dhe ngarkimin e burimeve të reja relevante, duke u dhënë përdoruesve mundësi të kontribuojnë në zgjerimin dhe përditësimin e njohurive të disponueshme.
Qendra synon të kontribuojë në informimin më të mirë të publikut, në hulumtime më cilësore, në zbatimin profesional të standardeve të barazisë dhe në hartimin e politikave të mbështetura në dëshmi. Njëkohësisht, ajo forcon rolin e KPMD-së si qendër kombëtare e njohurive, burimeve dhe të dhënave për barazi dhe mosdiskriminim. Për mediat, platforma shërben si pikënisje praktike për përgatitjen e kronikave dhe shkrimeve hulumtuese mbi diskriminimin, barazinë dhe të drejtat e njeriut. Ajo ofron qasje në hulumtime dhe të dhëna relevante, si dhe kontekst më të gjerë për raportim më cilësor dhe të argumentuar.
KPMD ka sqaruar edhe rekomandimin për punonjëset shtatzëna të angazhuara me kontrata pune me afat të caktuar. Në prill të vitit 2026, Komisioni rekomandoi përmirësime sistemore në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, veçanërisht në pjesën që rregullon kontratat me afat të caktuar, në mënyrë që ato të përdoren në situata të jashtëzakonshme. Rekomandimi synon të parandalojë keqpërdorimin e këtyre kontratave në rastet kur grave shtatzëna nuk u vazhdohet kontrata për shkak të shtatzënisë, lindjes dhe prindërimit.


