Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është pritur sot në Shkup nga përfaqësues të VLEN-it, mes tyre bashkëkryetarët Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Gjatë vizitës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, Haxhiu dhe përfaqësuesit e VLEN-it kanë bashkëbiseduar me qytetarë e zejtarë. Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale, në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mundësitë për projekte të përbashkëta infrastrukturore.
Mexhiti ka vlerësuar lidhjet historike, kulturore dhe vëllazërore mes dy vendeve, si dhe rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Ndërkaq, Kasami ka shkruar: “Bashkë me Kosovën, bëjmë më të mirën për qytetarët tanë!”
Vizita u shoqërua me mesazhe për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.


