Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, të riun që vrau me thikë ish-të dashurën e tij, shqiptaren Ilaria Sula, dhe më pas hodhi në greminë trupin e gjymtuar të saj.
Samson, i cili e ka pranuar autorësinë e krimit, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në kompleksin e burgut Rebibbia, ku u lexua vendimi. Ai akuzohej për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
“Drejtësia u vu në vend, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë kam pasur gjithmonë besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, tha Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës, pas shpalljes së vendimit.
Ai iu drejtua edhe miqve të vajzës së tij dhe të rinjve, duke u bërë thirrje të respektojnë njëri-tjetrin dhe të flasin me prindërit për problemet që përjetojnë.
“U them miqve të Ilarias dhe të rinjve në përgjithësi që të respektoni njëri-tjetrin dhe të flisni me prindërit. Mos heshtni”, tha ai.
Po ashtu, edhe nëna e Ilaria-s, Gezime Sula, e tronditur dukshëm nga ngjarja, iu drejtua të rinjve me një apel: “Respektoni gratë, duajini ato”. Më pas, mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti i saj, ajo tha: “Tani ajo është në paqe”.
Studentja 22-vjeçare Ilaria Sula u vra nga ish-i dashuri i saj më 25 mars 2025, pasi ai e goditi tri herë me thikë në fyt.
Pas vrasjes, Samson e futi trupin e saj në një thes dhe e hodhi nga një greminë në zonën e Capranica Prenestina. Kufoma u gjet më 2 prill.


