Mbledhje urgjente e UEFA-s, qeveria e futbollit drejt vendimit të anulimit për ndeshjen Egnatia-Midtjylland

Situata e tensionuar në Tiranë ka vënë në pikëpyetje zhvillimin e ndeshjes mes Egnatias dhe Midtjylland, e vlefshme për fazën e ligës së Conference League.

Sipas informacioneve paraprake, zhvillimi i ndeshjes në kushtet aktuale të sigurisë është vënë seriozisht në dyshim. Situata e krijuar në kryeqytet dhe pamundësia e ekipit danez për të vijuar normalisht përgatitjet kanë shtuar shqetësimet për organizimin e sfidës europiane.

Më herët, stërvitja e Midtjylland u ndërpre pas rreth 20 minutash, pasi gazi lotsjellës mbërriti në ambientet e stadiumit, duke e bërë të pamundur vijimin e seancës.

Ndërkohë, sipas burimeve konfidenciale të raportuara nga Top Channel, Policia e Shtetit ka refuzuar të marrë përsipër garantimin e zhvillimit të ndeshjes në kushtet aktuale.

Pritet një vendim zyrtar nga UEFA në orët në vijim, i cili do të përcaktojë nëse ndeshja do të zhvillohet sipas planit apo do të shtyhet për një datë tjetër.

Deri në një njoftim zyrtar, fati i takimit Egnatia–Midtjylland mbetet i paqartë.