Izraeli vendosi të dielën t’i ndalojë hyrjen në vend liderit të Partisë së Gjelbër të Anglisë dhe Uellsit, pasi partia e tij miratoi një politikë që e cilëson sionizmin si një formë racizmi, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar urdhëroi ndalimin e hyrjes së Zack Polanskit në koordinim me autoritetet përkatëse izraelite, njoftoi Ministria e Jashtme.
Të dielën, anëtarët e Partisë së Gjelbër miratuan mocionin gjatë konferencës së tyre në Brighton, duke e bërë kundërshtimin ndaj sionizmit pjesë të politikës zyrtare të partisë.
Mocioni e përshkruan sionizmin si një ideologji raciste dhe mbështet krijimin e një shteti të vetëm demokratik palestinez në të gjithë Palestinën historike, me të drejta të barabarta për të gjithë.
Ministria e Jashtme e Izraelit akuzoi partinë se legjitimon rezistencën e armatosur kundër Izraelit dhe mohon të drejtën e vetëvendosjes së hebrenjve, duke thënë se kjo politikë përbën antisemitizëm sipas përkufizimit të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.
Ministria akuzoi të Gjelbrit se janë shndërruar në “mbështetës të terrorizmit” dhe u bëri thirrje partive politike britanike, përfshirë Partinë Laburiste në pushtet, ta kundërshtojnë mocionin.
Partia e Gjelbër hodhi poshtë çdo barazim mes antisionizmit dhe antisemitizmit, duke e përshkruar sionizmin si një projekt politik etnonacionalist.
Partia ka riafirmuar mbështetjen e saj për vetëvendosjen e palestinezëve, të drejtën e kthimit dhe një embargo të plotë të armëve ndaj Izraelit.


