Modi: India dhe Zvicra do të punojnë për paqen dhe stabilitetin global mes luftërave SHBA-Iran dhe në Ukrainë

Kryeministri indian, Narendra Modi, tha të hënën se India dhe Zvicra do të punojnë së bashku për paqen dhe stabilitetin global mes luftërave SHBA-Iran dhe në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Deklarata u bë gjatë pritjes së Modit për presidentin zviceran Guy Parmelin, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin e Azisë Jugore.

Modi dhe Parmelin zhvilluan “diskutime të gjera” në New Delhi, disa orë pasi presidenti zviceran mbërriti në Indi, shkroi në platformën amerikane të mediave sociale X zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal.

Duke theksuar se India dhe Zvicra besojnë në “vlerat demokratike, sundimin e ligjit, dialogun dhe diplomacinë”, Modi tha: “Ne do të punojmë së bashku për paqen dhe stabilitetin global”.

Modi tha se, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, India “vazhdon të mbështesë çdo përpjekje për paqe”.

“Gjithashtu pajtohemi se reformat në institucionet globale janë të nevojshme për t’iu përgjigjur sfidave globale në rritje”, tha ai.

Kryeministri indian tha gjithashtu se të dyja vendet do të “zhvillojnë zinxhirë të besueshëm furnizimi dhe zgjidhje të besueshme për të gjithë botën”.

“Sot identifikuam mundësi të reja bashkëpunimi në shkëmbimet ushtarake dhe prodhimin e mbrojtjes. Gjithashtu ramë dakord të nxisim bashkëpunimin në energjinë bërthamore”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë tha se rezultatet kryesore të bisedimeve të së hënës përfshinë marrëveshje të reja për “transportin, mobilitetin dhe infrastrukturën, migracionin dhe mobilitetin, si dhe profesionistët e rinj, krahas kërkimeve të reja të përbashkëta në fushën e shëndetësisë, energjisë së pastër dhe hapësirës”.

India, e cila vendosi marrëdhënie me Zvicrën në vitin 1948, regjistroi një vëllim tregtar dypalësh prej rreth 23,35 miliardë dollarësh në vitin 2024-2025.