Tabela rrugore në pikën kufitare Bogorodicë (Gjevgjeli) me Greqinë ku thuhet ‘Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” e ka përjashtuar gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.
Kjo tabelë e mban mbishkrim vetëm në maqedonisht, anglisht dhe në frengjisht, ndërsa jo edhe në gjuhën shqipe.
Portalb.mk kërkoi nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore se pse në këtë tabelë nuk figuron gjuha shqipe, nga aty thanë se “shenja në fjalë ndodhet në zonën e pikës kufitare, e cila është në kompetencë të Drejtorisë së Doganave”.
“Kompetencat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrSh) shtrihen mbi rrugën shtetërore deri në fillim të korsisë së pikës kufitare”, thanë nga aty.
Për këtë çështje Portalb.mk pyeti edhe Drejtorinë e Doganave si dhe ndërmarrjen Makedonijapat, por deri në botimin e këtij teksti asnjëra nuk u përgjigj.
Kujtojmë se para dy muajve rast i ngjashëm u shfaq edhe në pikën kufitare në Tabanoc me Serbinë. Kjo nuk është hera e parë që gjuha shqipe përjashtohet nga mbishkrimet e tabelave rrugore, në vend janë regjistruar disa raste, ndërsa shumë tabela nuk figurojnë aspak në gjuhën shqipe.


