Como dhe Roma ndahen në paqe në ndeshjen kryesore të javës së 6 të Serie A. Në Sinigaglia skuadrat dolën me nga 1 pikë secila teksa barazuan me rezultatin 0-0, një rezultat që kënaq edhe Interin që mbetet i vetëm në krye të klasifikimit.
Ndeshja ishte me ritëm të lartë që nga minutat e para ku Malen për Romën dhe Nico Paz për Comon kërkonin hapësirat e duhura. Ishte Roma ajo që krijoi shansin e parë të vërtetë me Pellegrinin që goditi shtyllën, por me kalimin e minutave ndeshja hyri në faza të qeta për t’u rindezur në minutat e fundit të pjesës së parë ku Caqueret dhe Malen krijuan shanset e tyre për shënim, por shifrat nuk ndryshuan dhe mbetën 0-0.
Në fillimin e pjesës së dytë, Gasperini hodhi në fushë Soule, por në minutën e 52 gjërat ndryshuan në mënyrë radikale; një ndërhyrje tepër e guximshme e Malen ndaj Kaikit bëri që arbitri t’i tregonte kartonin e kuq holandezit të Romës me verdhekuqtë që mbetën me 10 futbollistë, një situatë të cilën Como u përpoq ta shfrytëzojë. Në një moment, kjo sfidë regjistroi edhe dëmtimin e arbitrit Fabbri që u zëvrndësua nga Sozza dhe pas rifillimit të lojës ishte Como që kishte kontrollin e lojës teksa krijoi disa mundësi të mira shënimi, por nuk pati sukses edhe për meritë të portierit Gollini që bëri ndërhyrjet e tij për të ndalur të besuarit e Cesc Fabregas dhe kështu ndeshja u mbyll me barazimin 0-0 me Romën që shkon në 14 pikë, 2 më pak se Interi, ndërsa Como shkon në kuotën e 11 pikëve.


