Chivu pas humbjes ndaj Brugge: Disfatë që dhemb, kishim të tjera pritshmëri. Unë jam përgjegjësi kryesor

Interi pësoi humbjen e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve. Pas hapit fals në Bernabeu kundër Realit të Madridit, skuadra zikaltër u mund në mënyrë surprizë edhe në San Siro nga Club Brugge.

Trajneri i kampionëve të Italisë, Cristian Chivu bëri analizën e kësaj disfate në përfundim të ndeshjes.

‘Ishte një pjesë e parë e mirë, intensive nga të dyja skuadrat-tha Chivu- pësuam një kundërsulm që solli penalltinë dhe golin, por u treguam të zotët që u rikthyem në ndeshje. Më pas patëm 2 raste të rëndësishme dhe nuk arritëm të shënonim. Në këtë pikë, frustrimi dhe ngutja bënë që të humbisnim ekuilibrin. Pas rezultatit 2-1 nuk e mbajtëm dot planin e ndeshjes edhe për meritë të një skuadre si Club Brugge që për intensitetin në lojë na vuri shumë në vështirësi’.

Për Chivu ka ende gjëra që duhen sistemuar në skuadër.

‘Nuk mund të them që nuk ka gjëra për të sistemuar. Ka gjëra që duhen vlerësuar, sidomos në ndeshjet e Ligës së Kampioneve ku e ke të vështirë të rikuperosh kur je në disavantazh-vijoi Chivu-mendojmë për ekuilibrin tonë, dueleve, topit të dytë dhe distancave të duhura. Por e dinim. Jemi të vetëdijshëm për atë që nuk shkon në Champions League. Po kërkojmë të riparojmë gjërat në aspektin e përgatitjes mentale. Ndoshta ka diçka që e mbartim dhe marrë përgjegjësinë sepse nuk po arrij të gjejë ekuilibrin e duhur për disa lloj ndeshjesh. Duhet të kemi ende besim sepse mungojnë 6 ndeshje, sigurisht që këto dy humbje dhembin për pritshmëritë që kishim dhe sepse mendonim të arrinim diçka ndryshe. Duhet të punojmë shumë në aspektin taktik dhe atë mental’.

Problemi i Interit qëndron te fakti se jo gjithnjë arrin t’iu rezistojë shpejtësisë së kundërshtarëve.

‘Ndjesia nga pankina është se me dy rastet e krijuara në fillimin e pjesës së dytë humbëm intensitetin dhe shkuam shumë para, pa u kthyer pas-shtoi Chivu-pak frustrim dhe humbje e ekuilibrit, me presing të gabuar dhe distanca të gjata. Jemi gjithnjë pak vonë dhe këtë në Champions League e paguan. Duhet të korrigjojmë disa gjëra, unë jamë përgjegjësi i parë. Ndoshta duhej ta përgatisja më mirë apo të jepja më shumë qetësi në pushimin e ndeshjes pa e karikuar shumë skuadrën për pjesën e dytë. Championsi ndërtohet nga qetësia dhe episodet, nuk duhet të humbasim kualitetet tona dhe besimin te vetja. Duhet mentaliteti i duhur për të interpretuar momentet e një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve’.