Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, takohet me ministrin Xhelal Sveçla, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, vazhdoi sot vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës, ku zhvilloi takim bilateral me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësministrin Enver Dugolli.

Gjatë takimit u diskutua për çështje me interes të përbashkët, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e sigurisë.

Në kuadër të vizitës, Zëvendësministri Astrit Iseni vizitoi edhe Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku u takua me drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare, Fehmi Xhata.

Iseni vizitoi gjithashtu Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u takua me drejtorin Shpend Shabani dhe kadetët, si dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil, ku u takua me drejtorin Jetmir Haziri.

Vizita zyrtare u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe menaxhimit kufitar.