Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti të hënën në Prishtinë ambasadoren e sapoemëruar të Suedisë, Åsa Pehrson. Sipas njoftimit të Qeverisë, diplomatja suedeze deklaroi se prej kohësh kishte dëshiruar të shërbente në Kosovë.
Gjatë takimit, Kurti theksoi mirënjohjen për mbështetjen që Suedia i ka ofruar Kosovës në periudhën para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Si një vend mik dhe ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës”, u shpreh Kurti, duke kujtuar gjithashtu se Suedia strehoi një numër të madh minatorësh të Trepçës pas grevës së vitit 1989.
Ai veçoi edhe angazhimin e mijëra ushtarëve suedezë në misionin e KFOR-it, bëri të ditur kryeministria, ndërsa lajmi u transmetua nga KosovaPress.
Sipas njoftimit, biseda u përqendrua te mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, tregti, energjetikë dhe mbrojtje. Në takim u shqyrtuan gjithashtu zhvillimet politike dhe ato rajonale.
Kurti tregoi se me ambasadoren Pehrson ishte takuar edhe 20 vjet më parë, në Stokholm.


