Franca regjistroi fitoren e dytë radhazi në Nations League, duke mposhtur Belgjikën me rezultatin 1-0. “Gjelat” morën tri pikët edhe në mungesë të Kylian Mbappé-së, ndërsa ndeshjen e vendosi Michael Olise në minutat e fundit.
Franca e nisi mirë takimin dhe në minutën e 12-të ishte pranë golit me Desire Doué, i cili pasi kaloi dy mbrojtës goditi nga brenda zonës, por topi u përplas në traversë.
Në minutën e 27-të, Maghnes Akliouche provoi me një goditje dënimi nga distanca, por portieri belg Senne Lammens reagoi mirë. Pas pushimit, Franca shtoi presionin. Doué dhe Lucas Da Cunha provuan nga distanca, me këtë të fundit që goditi edhe shtyllën në minutën e 54-t.
Lammens vazhdoi të mbante në lojë Belgjikën, duke bërë disa pritje të rëndësishme ndaj Doué dhe Lepaul. Nga ana tjetër, në minutën e 73-të, Mike Maignan u përgjigj me një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes së Dodi Lukebakios.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Franca gjeti golin e fitores. Në minutën e 88-të, Michael Olise mori topin në hyrje të zonës, kaloi kundërshtarët dhe lëshoi një goditje fantastike drejt këndit të poshtëm, duke mposhtur Lammens dhe duke shënuar për 0-1.
Franca e ruajti avantazhin deri në fund dhe siguroi fitoren e dytë në po kaq ndeshje, duke u ngjitur në kuotën e gjashtë pikëve në krye të grupit.


