SHBA, Florida i kërkon gjykatës të ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të ChatGPT për arsye sigurie

Autoritetet në Florida i kanë kërkuar një gjykate shtetërore të ndalojë OpenAI-n të zhvillojë më tej ChatGPT-në, derisa kompania të vendosë një sërë masash mbrojtëse për përdoruesit dhe publikun e gjerë.

“Mos e quani më të sigurt. Mos u shtirni sikur është njeri. Mos ua shisni më fëmijëve”, deklaroi prokurori i përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, në një njoftim të publikuar të hënën në platformën X, ku bëri të ditur nismën gjyqësore.

Uthmeier, republikan, ka shërbyer deri në vitin 2025 si shef i kabinetit të guvernatorit republikan të Floridës, Ron DeSantis.

Kërkesa për rregullimin e ChatGPT-së dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale bie ndesh me qëndrimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kundërshtuar vendosjen e masave mbrojtëse dhe i ka cilësuar paralajmërimet si “mashtrime”.

Uthmeier tha se shteti i kishte kërkuar Gjykatës së Qarkut të 10-të Gjyqësor të Floridës, në kontenë Highlands, të ndërhynte, duke u mbështetur veçanërisht te paralajmërimet e fundit të drejtorit ekzekutiv të OpenAI-t, Sam Altman, se inteligjenca artificiale përbën rrezik për publikun nëse nuk i nënshtrohet masave mbrojtëse.

Njerëzimi mund të “humbasë kontrollin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale”, deklaroi Altman javën e kaluar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai ishte së bashku me drejtuesit e kompanive rivale Anthropic dhe Hugging Face, të cilët gjithashtu u kërkuan autoriteteve të ndërhynin për të orientuar zhvillimin e industrisë.

“I kërkojmë gjykatës të bëjë atë që OpenAI nuk do ta bëjë me nismën e vet: të mbrojë familjet e Floridës”, tha Uthmeier.

Kërkesa e Floridës vjen në vijim të një padie që shteti ngriti më herët gjatë këtij viti, lidhur me ndikimin e ChatGPT-së te fëmijët dhe përdoruesit e tjerë. Në padi, autoritetet pretendonin se përdoruesit po “nxiteshin” drejt vetëvrasjes dhe se inteligjenca artificiale kishte “ndihmuar dhe nxitur sulme vdekjeprurëse”.