Spasovski drejtorit Gajdov: Kur u punësuat, u deklaruat shqiptar; kur konkurruat për drejtor, si maqedon

Deputeti dhe koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, ngriti pyetje serioze lidhur me mënyrën se si drejtori aktual i Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik, Petar Gajdov, ishte punësuar në këtë institucion. Ai paraqiti dokumente që, sipas tij, tregojnë deklarime të ndryshme për përkatësinë etnike të Gajdovit.

Duke iu drejtuar Komisionit parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Spasovski tha se çështje të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në besueshmërinë e institucionit që duhet të garantojë transparencë, llogaridhënie dhe qasje në informacionet me karakter publik.

“Nëse unë dyshoj në punën e Agjencisë, duke u bazuar në lëndë dhe procedura të caktuara, atëherë besimi në këtë institucion do të tronditet seriozisht”, deklaroi Spasovski.

Ai u prezantoi deputetëve dokumente për të cilat tha se ishin pjesë e procedurës së punësimit të Gajdovit.

Sipas Spasovskit, vendi i punës për ndihmësudhëheqës në Sektorin për Çështje Juridike, të Përgjithshme dhe Procedura Administrative, në përputhje me planin vjetor të institucionit, ishte paraparë për një pjesëtar të bashkësisë etnike shqiptare.

Spasovski pretendoi se nga vendimi i përzgjedhjes rezulton se Gajdovi ishte zgjedhur në këtë vend pune si shqiptar etnik.

Megjithatë, siç theksoi koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, përpara se të konkurronte për drejtor të Agjencisë, Gajdovi kishte dorëzuar një deklaratë të noterizuar, në të cilën ishte deklaruar maqedonas.

Spasovski theksoi se nuk e konteston të drejtën e asnjë qytetari për ta shprehur lirshëm përkatësinë e tij kombëtare. Sipas tij, çështja është nëse përkatësia etnike është përdorur për përmbushjen e kushteve për një vend të caktuar pune.

“Unë nuk po hyj në atë nëse jeni shqiptar, maqedonas, kinez apo diçka tjetër. Secili ka të drejtë ta shprehë lirshëm përkatësinë e tij kombëtare. Por ju jeni shqiptar deri në momentin kur duhet të konkurroni për drejtor të institucionit”, tha Spasovski.

Sipas tij, çështja thelbësore nuk është përkatësia kombëtare e Gajdovit, por nëse gjatë punësimit të tij janë manipuluar faktet.

“Nuk është me rëndësi që atëherë jeni pranuar në punë gjatë qeverisjes së LSDM-së. Nuk është e rëndësishme as përkatësia partiake. Me rëndësi është nëse i keni manipuluar faktet në lidhje me punësimin tuaj. Kjo është çështja kryesore”, deklaroi Spasovski.

Ai vlerësoi se dilema të tilla ngrenë edhe çështjen e besueshmërisë së udhëheqjes së institucionit, i cili gjatë punës së tij duhet të promovojë transparencë, efikasitet dhe integritet institucional.

Spasovski paralajmëroi se do të ngrejë edhe pyetje të tjera që lidhen me lëndë dhe procedura konkrete të Agjencisë.

Ai theksoi se Gajdovi, përpara se të bëhej drejtor, kishte qenë kryetar i Komisionit për Kundërvajtje pranë Agjencisë, duke paralajmëruar se do të flasë edhe për mënyrën e procedimit të disa lëndëve.

Akuzat e paraqitura janë pretendime të Spasovskit të bëra gjatë debatit parlamentar. Për pasqyrimin e plotë të çështjes është i rëndësishëm edhe qëndrimi i drejtorit Petar Gajdov.