Mickoski propozon ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë

Mickoski propozon ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë

Kryeministri Hristijan Mickoski ka propozuar që ndryshimet kushtetuese të miratohen menjëherë në Kuvend, por të hyjnë në fuqi vetëm pasi Maqedonia e Veriut t’i përfundojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.

Propozimin Mickoski e paraqiti gjatë një interviste për Këshillin Atlantik në Uashington, duke kërkuar një përfundim të parashikueshëm të procesit dhe garanci se pas këtij kushti vendit nuk do t’i vendosen pengesa të tjera.

“Kjo Qeveri propozon që ndryshimet të bëhen menjëherë në Kuvend, por të hyjnë në fuqi kur t’i përfundojmë negociatat dhe kur parlamentet e të gjitha vendeve anëtare ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit”, deklaroi Mickoski.

Qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është se ndryshimet e dakorduara kushtetuese, të cilat parashikojnë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, janë kusht për kalimin në fazën e ardhshme të procesit integrues. Për miratimin e tyre kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

Mickoski e akuzoi qeverinë e mëparshme se e kishte pranuar këtë detyrim, megjithëse nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare për ta zbatuar.

Sipas tij, hyrja e shtyrë në fuqi e ndryshimeve do t’i garantonte vendit se ky do të ishte kushti i fundit dhe se gjatë procesit të integrimit nuk do të paraqiteshin pengesa të reja.

“Unë nuk jam politikan që dëshiron ta çojë vendin në një aventurë pa një përfundim të qartë dhe të parashikueshëm”, tha kryeministri.

Ai konfirmoi se Qeveria po diskuton për këtë çështje edhe me partnerët strategjikë në Uashington, por shtoi se nuk mund të parashikojë nëse propozimi do të pranohet.