Shkëndija Boks përgatitet për kampionatin evropian u17, Ilir Selmani pjesë e kombëtares!

Klubi i boksit Shkëndija Boks ka zhvilluar një fazë intensive dhe të veçantë përgatitore me boksierin Ilir Selmani, i cili është pjesë e Kombëtares së Maqedonisë së Veriut U17 (Junior) dhe do të përfaqësojë vendin në Kampionatin Evropian U17.
Kampionati Evropian do të zhvillohet në Budva të Malit të Zi, nga 1 deri më 11 tetor 2026, ndërsa në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë rreth 40 shtete dhe 495 boksierë, duke e renditur atë ndër garat më të rëndësishme evropiane për këtë grupmoshë, shkruan Top24
Gjatë vitit 2026, përgatitjet e Ilir Selmanit janë zhvilluar nën drejtimin e trajnerëve Jusuf Hashimi, Lulzim Bajrami dhe Ylber Hasani.
Faza përgatitore e tre muajve të fundit ka qenë pjesë e një programi të detajuar pune, me fokus në përmirësimin e formës fizike, përgatitjes teknike dhe aspektit taktik, me synim që Selmani të arrijë formën optimale dhe të paraqitet denjësisht në arenën evropiane.
Trajneri Jusuf Hashimi vlerëson punën e bërë gjatë kësaj periudhe:

“Tre muajt e fundit kanë qenë një fazë intensive dhe shumë e rëndësishme në përgatitjet e Ilirit. Kemi punuar me përkushtim në çdo aspekt të përgatitjes, me synim që ai të paraqitet në nivelin më të mirë të mundshëm në Kampionatin Evropian.”

Hashimi ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Komunën e Tetovës për mbështetjen e dhënë ndaj klubit dhe boksierit në këtë rrugëtim.

“Dua të potencoj edhe mbështetjen e Komunës së Tetovës, e cila na ka përkrahur edhe me ndihmë materiale. Për këtë mbështetje i shpreh mirënjohje të veçantë kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit. Përkrahja institucionale është shumë e rëndësishme për sportistët tanë dhe për zhvillimin e sportit në qytetin tonë.”

Shkëndija Boks tashmë është e fokusuar në fazën finale të përgatitjeve, ndërsa Ilir Selmani do të synojë të japë maksimumin e tij në një prej skenave më të rëndësishme evropiane për boksierët e kategorisë U17.