Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për protestat kundër projektit të zhvillimit dhe ruajtjes së mjedisit, duke përmendur edhe këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
I pyetur nëse mbështetja e saj për protestën mund të konsiderohet si propagandë, Rama tha se nuk e sheh kështu.
“Ajo është krenare për protestën, unë jam krenar për të. Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Duas i pëlqen protesta, unë e dua shumë Duan. Ajo është këngëtare, nuk është Papa”, tha Rama.
Ai theksoi se zhvillimi dhe ruajtja e mjedisit nuk duhet të shihen domosdoshmërisht si dy gjëra që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Rama foli edhe për reagimin e qeverisë ndaj protestuesve, duke thënë se edhe vetë ka qenë pjesë e protestave dhe se ka rrezikuar jetën për fjalën e lirë.
Sipas tij, është e gabuar të mendohet se protestuesit kanë gjithmonë të drejtë dhe qeveria është gjithmonë në gabim.
Ai paralajmëroi gjithashtu publikimin e dokumenteve dhe të dhënave për projektin përmes asaj që e quajti “pasqyrë inteligjente”.
“Kjo sagë do të përfundojë në mënyrë të shkëlqyer për të dyja kahët. Nëse shkenca thotë që nuk duhet prekur, nuk është betejë personale. Do të publikojmë çdo gjë që kemi dhe pasqyra do të përfshijë çdo gjë të re”, u shpreh Rama.


