Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e presidentit rus Vladimir Putin, po shkon drejt një fitoreje në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar 57.5% të votave, njoftoi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, teksa janë numëruar rreth 14% e votave.
Sipas një exit-poll-i të realizuar nga Qendra Ruse për Studimin e Opinionit Publik (VCIOM), institut shtetëror, Rusia e Bashkuar pritet të marrë 49.4% të votave, pothuajse të njëjtën përqindje që mori në zgjedhjet e vitit 2021.
Votimi, i zhvilluar për tre ditë për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, është i pari që zhvillohet që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Zgjedhjet përcaktojnë 450 anëtarët e Dumës së Shtetit, dhomës së ulët të Parlamentit rus, ndërsa votimi u zhvillua edhe në territore ukrainase të pushtuara dhe të aneksuara nga Rusia.
Presidenti Vladimir Putin e ka cilësuar procesin zgjedhor si një test për mbështetjen ndaj luftës në Ukrainë.
Rezultati zgjedhor ishte përgjithësisht i pritshëm në një vend ku shprehja e kundërshtimit ndaj pushtetit shtypet ashpër nga autoritetet dhe ku nuk ekziston një opozitë e mirëfilltë. Partia e vetme që kundërshton hapur luftën, Yabloko, u përjashtua nga procesi zgjedhor.


