Pezeshkian paralajmëroi se zgjerimi i luftës “nuk do të sjellë siguri”…
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, iu drejtua të mërkurën Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi Iranin si sponsorin kryesor të terrorizmit dhe kërcënoi me përshkallëzim të mëtejshëm nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Pezeshkian hodhi poshtë akuzat amerikane për terrorizëm dhe deklaroi se Irani e konsideron veten viktimë të tij. Ai akuzoi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin për sulme ndaj civilëve gjatë luftës, përfshirë një goditje ndaj një shkolle. Presidenti iranian tha se Teherani iu përgjigj sulmeve, por pretendoi se forcat iraniane nuk kishin shënjestruar popullsinë civile dhe se veprimet e vendit të tij kishin qenë të natyrës mbrojtëse.
“Presidenti amerikan na përshkroi si terroristë. Ne kemi qenë viktima të terrorizmit. SHBA-të bombarduan një shkollë dhe fëmijët u zhdukën nën bomba me armë të përdorura nga SHBA-të dhe Izraeli. Irani nuk uli kokën… dhe u përgjigj, por ne nuk goditëm popullatën civile, por vetëm mbrojtëm veten, ne nuk jemi terroristë”,tha Pezeshkian, ndërkohë që delegacioni amerikan u largua nga salla.
Vendet e delegacionit amerikan gjatë fjalimit të presidentit iranian në OKB
Presidenti iranian iu drejtua më pas drejtpërdrejt vendeve që, sipas tij, kishin kryer agresion kundër Iranit. Ai tha se kundërshtarët e Teheranit kishin testuar qëndrueshmërinë e vendit, por nuk kishin arritur ta detyronin atë të dorëzohej. Pezeshkian deklaroi se Irani nuk e ka nisur luftën dhe se vazhdon të mbështesë negociatat. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se vendi do të vazhdojë të mbrohet.
“Ata e kanë vënë në provë forcën dhe qëndrueshmërinë e Iranit dhe kanë mësuar se Irani nuk mund të detyrohet të dorëzohet. Irani nuk ka qenë kurrë, kurrë agresor, nuk ka filluar kurrë një luftë dhe gjithmonë ka treguar përkushtimin e tij ndaj tryezës së negociatave. Ata na imponojnë luftën, por ne kemi vërtetuar se nuk kemi frikë nga luftimet, nga lufta që është me natyrë mbrojtëse, dhe do të qëndrojmë në mbrojtje të Iranit tonë të dashur, atdheut tonë, deri në frymën tonë të fundit”, shtoi më tej Pezeshkian.
Ai akuzoi vendet perëndimore për standarde të dyfishta në trajtimin e Iranit dhe Izraelit. Ai argumentoi se vëmendja e inspektimeve ndërkombëtare përqendrohet te programi bërthamor iranian, ndërsa Izraeli nuk përballet me të njëjtin nivel kontrolli. Presidenti iranian këmbënguli se Teherani kërkon teknologji bërthamore për qëllime civile dhe zhvillim ekonomik, jo për prodhimin e armëve. Ai tha se Irani nuk do të heqë dorë nga ajo që e konsideron të drejtën e tij për përdorimin paqësor të teknologjisë bërthamore.
“Arma bërthamore është në Izrael, por inspektorët janë në Iran. Izraeli vret, por Irani është subjekt i sanksioneve. Paqja jonë nuk do të vijë në fushën e betejës”,deklaroi Pezeshkian, duke kërkuar garanci sigurie për Iranin.
Pezeshkian foli gjithashtu për Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë dhe një nga pikat kryesore të tensionit gjatë konfliktit.
Ai argumentoi se Irani nuk mund të pranojë që vende të tjera të përfitojnë lirisht nga rruga ujore ndërsa, sipas tij, e përdorin atë njëkohësisht për të ushtruar presion ushtarak dhe ekonomik ndaj Teheranit. Pezeshkian paralajmëroi se zgjerimi i luftës “nuk do të sjellë siguri”.
“Nuk mund t’i lejojmë disa të kenë akses të lirë dhe të përfitojnë nga një rrugë ujore, ndërkohë që e përdorin atë rrugë ujore për të na imponuar agresionet e tyre, për të na imponuar pasiguri, për të na ndaluar aksesin në rrugët tona ujore”, tha ai.
Një pjesë të fjalimit, presidenti iranian ia kushtoi situatës palestineze, të cilën e cilësoi si një çështje të pazgjidhur që dëshmon, sipas tij, dobësinë e mekanizmave ndërkombëtarë për mbrojtjen e civilëve. Ai theksoi se një paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet pa një zgjidhje të çështjes palestineze.
“Nuk mund të flasim për paqe duke injoruar Palestinën. Paqja e qëndrueshme në Azinë Perëndimore është e pamundur pa drejtësi për Palestinën”, shtoi ai.
Fjalimi i Pezeshkianit vjen në një moment kur, pavarësisht retorikës së ashpër mes dy vendeve, SHBA-ja dhe Irani kanë rifilluar kontaktet diplomatike. Bisedimet në Nju Jork kanë krijuar mundësinë e negociatave të tjera, por palët vazhdojnë të kenë dallime të mëdha për kushtet e përfundimit të luftës, programin bërthamor iranian dhe Ngushticën e Hormuzit.


