Taravari: Mickoski e humbi momentin për afrimin me Bullgarinë pas tragjedisë në Koçan

Arben Taravari konsideron se kryeministri Hristijan Mickoski ka humbur një moment të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve me Bullgarinë pas tragjedisë në Koçan. Në një intervistë për podcastin “Koridori 8”, ai tha se ndihma e ardhur nga Bullgaria krijoi mundësi për afrimin mes dy vendeve.

Taravari, i cili në atë periudhë ishte ministër i Shëndetësisë, tha se ministri bullgar i Shëndetësisë ishte kolegu i parë nga rajoni që e kishte telefonuar dhe kishte ofruar vende për trajtimin e të plagosurve. Një pjesë e pacientëve më pas u trajtuan në spitale në Sofje, Plovdiv dhe Varna.

“Ky ishte një moment i mirë që shtetet të afroheshin. Bullgaria e bëri hapin e parë”, tha Taravari.

Ai shtoi se edhe atëherë kishte konsideruar se solidariteti pas tragjedisë mund të shfrytëzohej për të ulur keqkuptimet mes Shkupit dhe Sofjes. Taravari kritikoi gjithashtu ato që i quajti narrativa antibullgare, duke vlerësuar se Maqedonia dhe Bullgaria duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të mira fqinjësore.