Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të diskutohet për gjendjen aktuale në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas një ngjarjeje, Mickoski komentoi, ndër të tjera, edhe vizitën e Von der Leyen, e cila të premten do të qëndrojë në Shkup në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me përfshirjen e BE-së në negociatat me Bullgarinë, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut është e gatshme të diskutojë për këtë çështje me praninë e përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe BE-së.
Ai theksoi se shteti do të vazhdojë të përmbushë reformat dhe shprehu dyshime për informacionet se Maqedonia e Veriut, së bashku me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, në këtë fazë nuk do të marrë udhërrëfyes për anëtarësimin në BE.
“Fillimisht duhet të shohim nëse është kështu apo jo. Informacionet e mia nuk thonë se është kështu”, deklaroi Mickoski.


