Historia e UÇK-së nuk mund të shkëputet nga rrethanat kur u krijua, nga zemra e një populli të shtypur

Nga Halil Bashota

Diplomatët ndërkombëtarë (Amerikanë) kanë pasur qasje në çdo cep të Kosovës. Ata kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në terren dhe e kanë njohur nga afër realitetin e luftës.Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni dhe i dërguar special për Kosovën, si dhe Richard Holbrooke, i dërguar special i Presidentit amerikan për Ballkanin, e veçmas Kosovën në 1998 -1999.

Historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të shkëputet nga rrethanat në të cilat ajo u krijua: nga zemra e një populli të shtypur, të përndjekur, por liridashës, që luftonte për lirinë dhe ekzistencën e tij.

Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë histori në mënyrë të njëanshme, duke mohuar kontekstin e luftës dhe rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, rrezikon të nxisë përçarje të brendshme dhe të dëmtojë perceptimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

E vërteta historike kërkon të dëgjohen të gjitha dëshmitë, të shihet i gjithë konteksti dhe të ruhet dinjiteti i atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Përpjekja për ta barazuar agresorin me viktimën, duke i shkëputur ngjarjet nga konteksti i tyre historik dhe duke e zbehur përgjegjësinë e forcave te një regjimi shtetëror, siç është ai serb, që ushtruan represion dhe dhunë ndaj popullsisë civile shqiptare, rrezikon ta shtrembërojë thelbin e asaj që ndodhi në Kosovë.

Një qasje e tillë, sidomos kur bëhet përmes një instrumentalizimi të komunitetit ndërkombëtar, mund të shihet si përpjekje për ta relativizuar vuajtjen e viktimave dhe për ta përmbysur marrëdhënien mes shkakut dhe pasojës. Historia e luftës duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe kontekstit të plotë, në mënyrë që viktima të mos vendoset në të njëjtin plan moral e historik me atë që ushtroi dhunën ndaj saj.