Kapiteni i Zvicrës dhe mesfushori i Sunderlandit, Granit Xhaka, është nën hetim në Zvicër lidhur me dyshimet për sigurimin e një vërtetimi të pavërtetë vaksinimi kundër COVID-19.
Prokuroria e kantonit të Lucernit ka konfirmuar hapjen e procedurës ndaj futbollistit 33-vjeçar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë nëse janë përmbushur kushtet për ndonjë vepër penale lidhur me dokumentin.
Sipas nenit 251 të Kodit Penal zviceran, falsifikimi i dokumenteve mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në pesë vjet, në varësi të rrethanave të rastit. Bëhet fjalë për dënimin maksimal të paraparë me ligj dhe jo për një dënim të shqiptuar ndaj Xhakës.
Rasti mori një zhvillim të ri të hënën, më 21 shtator, kur Xhaka pranoi publikisht se kishte siguruar një vërtetim vaksinimi gjatë pandemisë. Ai e cilësoi vendimin si gabim, kërkoi falje dhe tha se do të bashkëpunojë me autoritetet.
Sipas mediave zvicerane, Xhaka pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të tetorit. Deri në një vendim të formës së prerë, ndaj tij vlen prezumimi i pafajësisë.
Ndërkohë, Xhaka nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të radhës të Përfaqësueses së Zvicrës. Federata Zvicerane e Futbollit ka bërë të ditur se ai, me marrëveshje, do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme dhe situata e tij do të rivlerësohet pas kësaj periudhe.


