Kompanitë e inteligjencës artificiale po kërkojnë gjithnjë e më shumë burime të mëdha të të dhënave për trajnimin e modeleve të tyre, ndërsa falimentimi i kompanive po krijon një treg të ri për blerjen e këtyre informacionit.
Një rast i fundit lidhet me kompaninë ajrore amerikane Spirit Airlines, e cila është në procedurë falimentimi. Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Google dhe startup-i i IA-së Micro1 kanë paraqitur oferta për blerjen e një pjese të konsiderueshme të të dhënave të kompanisë.
Google ka ofruar 10 milionë dollarë, ndërsa Micro1 ka paraqitur një ofertë prej 12.5 milionë dollarësh.
Në paketën e të dhënave që mund të shitet përfshihen informacione të mbledhura ndër vite për pasagjerët e Spirit Airlines. Dokumentet gjyqësore bëjnë të ditur se bëhet fjalë për rreth 97.5 milionë regjistrime pasagjerësh, të krijuara që nga viti 1992.
Materialet përfshijnë gjithashtu rreth 13.7 milionë adresa elektronike, të dhëna të lidhura me programin e besnikërisë së kompanisë, si dhe informacione të siguruara përmes partnerëve të saj.
Në shitje janë përfshirë edhe të dhëna të tjera të brendshme. Paketa përmban dosje të personelit për më shumë se 175 mijë punonjës dhe rreth 1.5 milionë komunikime të brendshme, të mbledhura nga platforma të ndryshme, përfshirë email-et dhe Microsoft Teams.
Çështja ka ngritur shqetësime te punonjësit, furnizuesit dhe palët e tjera që kanë frikë se informacionet e ndjeshme mund të përfundojnë në duart e subjekteve të tjera.
Ndërkohë, më 25 shtator, Spirit Airlines shiti 27 avionë të vjetër Airbus për 668 milionë dollarë, në kuadër të përpjekjeve për të përballuar vështirësitë financiare.
Vendimi për shitjen e të dhënave pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Falimentimit në Nju Jork gjatë një seance të parashikuar për të mërkurën.
Rasti i Spirit Airlines pasqyron një prirje më të gjerë, ku të dhënat e kompanive në vështirësi financiare po shihen si një aset me vlerë të konsiderueshme për industrinë e inteligjencës artificiale.
Ekspertë të fushës juridike kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për mbrojtjen e informacionit të tillë. Sipas tyre, ndërsa të dhënat personale mund të jenë subjekt i rregullave të posaçme, informacionet komerciale nuk mbrohen gjithmonë në të njëjtën mënyrë, duke bërë që kushtet kontraktuale dhe procedurat e falimentimit të kenë rol të rëndësishëm në përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre.


