Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim ngre shqetësim për mosheqjen e imunitetit të Ballukut: SPAK-un e besojnë shqiptarët, reforma në drejtësi e pakthyeshme

Në takimin e sotëm në Tiranë të takimit të 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, eurodeputetja Isabel Wiseler Lim, ka ngritur si shqetësimin mos heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Wiseler-Lima vlerësoi punën e SPAK-ut dhe theksoi se ky institucion gëzon një nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë. Megjithatë, ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme.

“Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin.

Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

“E para, mendoj, kemi pasur raportet e OSBE/ODIHR-it, që vota ishte konkurruese, por jo gjithmonë në një fushë të barabartë beteje.

Nga të dyja palët keni qenë pjesë e fushatës dhe e dini se çfarë nuk shkoi. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë nevojë për një shumicë të cilësuar dhe, për këtë arsye, duhet bërë një punë e përbashkët nga pozita dhe opozita.

Transparenca në investimet e mëdha është kërkuar nga Shqipëria që të shikojë ligjet për investimet strategjike dhe ligjin për zonat e mbrojtura.

Me sa i kam kuptuar, amendamentet për zonat e mbrojtura që janë propozuar nuk janë ende në axhendën e Parlamentit. Duhet bërë shpejt një gjë e tillë dhe kjo do të sjellë një sinjal të fortë. Mbyllja e kapitujve 23 dhe 24 kërkon një histori të sukseseve, apo arritjeve. Të kemi pasur konfiskime, dënime.

Gjithmonë hetimet janë fillimi, por nuk janë përfundimi.

Roli i Parlamentit nuk është vetëm të miratojë ligje, por të dëgjojë edhe zërin e qytetarëve. Qytetarët po çojnë sinjale të qarta dhe duhet të dëgjohen ata.

Në Parlament është i rëndësishëm të dëgjohet zëri i tyre, të debatohet ai. Dhe unë e di që ky Parlament mund ta realizojë një gjë të tillë.

Një ditë shumë afër, disa prej jush do të ulen krah nesh në PE dhe mezi e pres këtë ditë. Të punojmë së bashku që kjo ditë të arrijë sa më shpejt”, shtoi ajo.