Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca fillestare ndaj 53 të akuzuarve për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjera të Gjakovës ku ishin vrarë 370 civilë. Shkak u bë mungesa e tre avokatëve.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të 25 majit 2026, e kishte kthyer në rivendosjes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit kjo e fundit kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në seancën e sotme, nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra u bë e ditur se pas kthimit të rastit në rivendosje, Gjykata ka ndërmarrë veprime për thirrjen e të akuzuarve që të prezentojnë në gjykim. Mirëpo, asnjë nga të akuzuarit deri më tani nuk është paraqitur.
Në seancë munguan tre avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare, andaj fillimisht seanca shkoi në pauzë, në mënyrë që Gjykata t’i kontaktojë për të siguruar prezencën e tyre.
Ndërkaq, avokati tjetër- Laur Prenaj ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të paraqitet, por se mund të vijë shpejt. Mirëpo, gjykatësja tha se për shkak të mungesës edhe të avokates Restelica, nuk ka kushte për mbajtjen e gjykimit.
Seanca e radhës u caktua për 25 shtator 2026.
Prezente në seancë ishte prokurorja Fikrije Salihu-Fejzullahu dhe avokatët e 50 të akuzuarve tjerë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2023 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Aktakuza u ndryshua më 23 dhjetor 2024. Të gjithë të pandehurit, deri tani gjenden në arrati.
Të akuzuar në këtë rast janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës, në fshatrat e Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen, në këto cilësi: Momir Stojanoviq- si shef i Departamentit të Sigurisë së Komandës në Korpusin e Prishtinës, Sreten Çamoviq- Shef i Departamentit të Shtetit për Siguri (UDB), Nikola Miqunoviq-Komandant i Njësive Rezervë, Milovan Kovaçeviq- Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Sergej Peroviq- Shef i Sigurimit në Brigadën 52 të Artilerisë dhe Raketave të Mbrojtjes Ajrore në Garnizonin e Gjakovës, Korpusi i Prishtinës- Armata III, Verolub Zhivkoviq- Komandant i Postëkomandës Pararojë dhe Shefi i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Milan Kotur- Shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, Radomir Çoliq- Komandant i Njësive “Posebne Jednice Policije” (PJP) të Policisë në Gjakovë, Dragutin Josifoviq- Komandant i Stacionit Policor në fshatin Ponoshevc të Gjakovës, Franko Simatoviq- Komandant i Stacionit Paramilitar “Jedinica za Spedijalne Operacije” (JSO), Momçilo Stanojeviq- Komandant i Mbrojtjes Territoriale, Vllatko Vukoviq- Komandant i Batalijonit të Dytë të Brigadës së Motorizuar, Ilija Todorov-Komandant i Brigadës 63 parashutiste.
Tutje, Stevo Kaponja- komandant i Batalionit 52 të Policisë Ushtarake, Dragan Zhivanoviq-Komandant i Brigadës 52 të Raketave Artilerie, Millosh Gjoshan- Komandant i Brigadës 52 të Raketave Artilerike, Danilo Zeçeviq- ndihmëskomandant i kompanisë PJP të Gjakovës gjatë kohës së luftës, Dimitrije Rashoviq- polic në stacionin policor në Gjakovë, Millosh Shçepanoviq-polic në Stacionin Policor në Gjakovë, Predrag Stojanoviq-polic, Aleksandar Pekoviq- polic, Zhivko Vuksanoviq- polic, Millutin Novakoviq- polic në Stacionin Policor në Gjakovë, Sokol Abazi- Pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Novica Stankoviq- zëvendëskomandant i Brigadës 52 të Artilerisë, Misho Popoviq- ndihmëskomandant për punë operative në Datashmenin 113 të mbojtjes territoriale, Millan Noviqeviq- polic rezervist, Nenad Rajiçeviq- punëtor sigurimi i Postës në Gjakovë, Muharrem Ibraj- pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Millan Slavkoviq- Shef i Departamentit të kufijve të huajve dhe çështjeve administrative në MPB në Gjakovë, Dragan Isailloviq- punëtor i elektrodistribucionit, Sasha Antiq- komandant i njësisë në Batalionin 52 të Policisë Ushtarake, Zllatko Odak- pjesëtar i Brigadës 52 të Raketave Artilerike, Savo Lekiq- polic, Dragan Raciq- polic, Milladin Novakoviq- komandant i Stacionit Policor në Junik, Dragan Pekoviq- pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Njegosh Prashqeviq- polic, Dushan Prashçeviq- rezervist i UJ, Ranko Vukadinoviq- zjarrëfikës, Momçilo Stijoviq- polic, Dushan Nedoviq- polic, Gjokica Mihajlloviq- polic, Mirash Gegoviq- polic, Zoran Mirkoviq-polic, Aleksandar Miqunoviq- polic, Llazar Drashkoviq- polic, Mihill Abazi- polic/pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Momçilo Novakoviq-polic, Marko Abramoviq- polic, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq- polic dhe Predrag Miqunoviq- polic.
Të lartpërmendurit ngarkohen se kanë shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe protokollet shtesë, duke kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar.
Vrasjet:
Sipas aktakuzës, nga data 27 prill 1999 deri më 29 prill 1999, në Komunën e Gjakovës, saktësisht në fshatrat: Mejë, Korenicë, Junik, Vogovë, Devë, Zhub, Batushë, Koshare, Molliq, Brovinë, Nivokaz, Morinë, Berjahë, Ponoshec, Pacaj, Dobrosh, Sheremet, Dallashaj, Rracaj, Stubëll, Nec, Smolicë, Popoc, Shishman, Babaj Bokës, Ramoc, Rrypaj, Madanaj, Orize, Duzhnjë, Guskë dhe Brekoc, forcat policore dhe ushtarake serbe, duke vepruar nën komandën e të pandehurve të lartcekur, kanë zhvilluar një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Aty thuhet se në implementim të këtij plani, forcat serbe fillimisht i rrethuan fshatrat e lartcekura me automjetet ushtarake dhe policore. Në operacion kanë marrë pjesë: Brigada 63 Parashutiste e pozicionuar në anën lindore, Batalioni 52 i Policisë Ushtarake i pozicionuar në mes të luginës së Caragojit, Brigada 125 e Motorizuar e pozicionuar në zonën e Smolicës, Brigada 52 e Raketave Artilerike e pozicionuar në kodrën e “Qabratit” afër “Osek Hylës” dhe Brigada 549 e Motorizuar – Batalioni i dytë i motorizuar.
Pastaj, aktakuza thotë se kanë filluar që të gjuajnë në drejtim të fshatrave me artileri të rëndë, duke bombarduar çdo fshat dhe çdo shtëpi dhe në fund kanë hyrë me këmbësori në të gjitha fshatrat e lartcekura.
Aktakuza thotë se duke shkuar shtëpi për shtëpi, nën kërcënimin e armëve, me forcë dhe kanosje, i detyrojnë civilët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i grumbulluar në vende të caktuara, kështu që kolonat e njerëzve të dëbuar të nisen në drejtim të Shqipërisë. Gjatë këtij rrugëtimi, civilët ishin të detyruar të kalojnë nëpër tri pika kontrolli të vendosura në fshatrat Mejë, Korenicë dhe Orize, ku gjatë kontrolleve, forcat serbe i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këta të fundit nën kërcënim i urdhërojnë që të largohen në drejtim të Shqipërisë, kurse burrat i ekzekutojnë në mënyrën më barbare në vende të ndryshme.
Me këtë rast, në aktakuzë thuhet se në fshatin Mejë u vranë 283 civilë, në fshatin Korenicë u vranë 66 civilë, në fshatin Pacaj 1 civil, në fshatin Dobrosh tre civilë, në fshatin Rracaj 3 civilë, në fshatin Nec 2 civilë, në fshatin Ramoc 5 civilë, në fshatin Bishtazhin 7 civilë; gjithsej 370 civilë të nacionalitetit shqiptar, trupat e të cilëve janë gjetur në tetë varreza masive në Batajnicë në Serbisë.
Dëbimi, shkatërrimi dhe plaçkitja e pasurisë:
Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kohës, vendit dhe mënyrës së përshkruar sikur në pikën e parë të aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, gjatë implementimit të planit të ashtuquajtur “Reka e Keqe”, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, qoftë për shkak të pozitës udhëheqëse apo drejtpërdrejt si kryerës, morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre.
Sipas aktakuzës, duke përdorur dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur, fillimisht i rrethuan fshatrat e lartcekura dhe pastaj i bombarduan me artileri të rëndë, kurse në fund hynë me këmbësori dhe shkuan shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë dhe gjatë rrugës për në Shqipëri kaluan në tri pika kontrolli të vendosura në fshatrat Mejë, Korenicë dhe Orize, ua morën dokumentet e identifikimit si dhe paratë dhe sendet e tjera me vlerë, duke i fyer dhe keqtrajtuar fizikisht.
Pastaj, në aktakuzë thuhet se i ndanë shumicën e burrave nga kolona, kurse kolona e civilëve e përbërë kryesisht nga gra dhe fëmijë, nën përcjellje të policisë, mbi 20 mijë banorë u deportuan për në Shqipëri në dy pika kufitare, në Qafë Prush dhe Morinë, ndërsa pasuria e tyre u plaçkit dhe shtëpitë e tyre u dogjën me objekte banimi përcjellëse, me ç’rast e tërë ekonomia familjare e këtyre fshatrave u shkatërrua tërësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
53 të akuzuarit ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer vepër penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “Krimet kundër njerëzimit”, e sanksionuar me nenin 143, par.1, pika 1.1; 1.2 1.4; 1.6; 1.8; 1.9, nënparagrafi 1.4; 1.6; dhe 1.7; lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/


