“Camp Nou” mund të jetë skena e finales së Champions League në vitin 2029, ndërsa UEFA pritet të marrë vendimin këtë të martë në Selanik të Greqisë.
Për finalen e Champions League 2029 janë paraqitur zyrtarisht dy kandidatura: “Spotify Camp Nou” i Barcelonës dhe “Wembley” i Londrës. Sipas raportimeve, stadiumi katalanas shihet si favorit për të fituar të drejtën e organizimit të ndeshjes më të rëndësishme të futbollit europian.
UEFA është në dijeni të ecurisë së punimeve në “Camp Nou”. Instalimi i çatisë së re është planifikuar për verën e vitit 2027, ndërsa punimet përfundimtare pritet të mbyllen në fillim të vitit 2028, në skenarin maksimal.
Stadiumi pritet të rikthehet si impianti më i madh në Europë pas përfundimit të plotë të rikonstruksionit, me një kapacitet të planifikuar prej 104.600 spektatorësh, përfshirë rreth 9.400 vende VIP. Ky kapacitet do ta vendoste “Camp Nou” përpara “Wembley”-t, i cili aktualisht ka rreth 90.000 vende.
Sipas vlerësimeve të UEFA-s, Barcelona ka një avantazh të rëndësishëm për shkak të kapacitetit të stadiumit, por edhe infrastrukturës së qytetit. Kapaciteti i madh hotelier dhe aeroporti ndërkombëtar i Barcelonës konsiderohen pika të forta të kandidaturës katalanase.
Për UEFA-n, organizimi i një finaleje në një stadium me më shumë se 100 mijë vende përbën një tërheqje të veçantë, sidomos për shkak të kërkesës së lartë për bileta për finalen e Champions League.
Fakti që finalja e vitit 2027 do të zhvillohet në “Metropolitano” të Madridit nuk shihet si pengesë që finalja të rikthehet në Spanjë vetëm dy vite më vonë.
Ndërkohë, finalja e vitit 2028 pritet të zhvillohet në “Allianz Arena” të Mynihut, i cili është kandidati i vetëm për atë edicion.
Stadiumi i Barcelonës ka një histori të rëndësishme me finalet e kompeticionit më prestigjioz europian. Në vitin 1989, “Camp Nou” priti finalen ku Milani mposhti Steaua Bukureshtin me rezultatin e thellë 4-0.
Dhjetë vite më vonë, në vitin 1999, stadiumi katalanas ishte skena e një prej finaleve më dramatike në historinë e Champions League. Manchester United përmbysi Bayern Munich me dy gola në minutat shtesë dhe fitoi 2-1.
Një tjetër finale e Champions League në “Camp Nou” do të rikthente një prej eventeve më të mëdha sportive në stadiumin e rinovuar të Barcelonës.
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në Selanik do të përcaktohen gjithashtu stadiumet pritëse për një sërë finalesh europiane.
Superkupa e UEFA-s për vitet 2027 dhe 2028. Faza finale e Champions League në futsall për vitin 2027.
Në Selanik do të merret gjithashtu një vendim për finalen e Champions League për femra në vitin 2028.
Stadiumi “San Mamés” në Bilbao është një prej kandidatëve, pas suksesit të madh të finales së vitit 2024, kur Barcelona mposhti Lyon-in 2-0 përpara 50.827 spektatorëve.
Stadiumi bask, me një kapacitet prej rreth 53.331 vendesh, konkurron me “Groupama Stadium” të Lyonit, “St. Jakob-Park” të Bazelit dhe “RAMS Park” të Stambollit, stadiumi i Galatasaray-t.
Finalja e Champions League për femra në vitin 2027 do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar të Varshavës, në Poloni.



