Çdo 10 minuta, një grua vr’itet nga partneri ose një anëtarë i familjes

Rreth 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë ose anëtarë të tjerë të familjes gjatë vitit 2024, sipas vlerësimeve globale të UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC).

Çdo dhjetë minuta, diku në botë, një grua ose vajzë vritet nga partneri intim ose një anëtar tjetër i familjes. Pas kësaj statistike nuk qëndrojnë vetëm dhjetëra mijëra krime të veçuara. Në shumë raste, para vrasjes ka një histori kontrolli, kërcënimesh, ngacmimesh dhe dhune.

 

Pikërisht për këtë paralajmërohet edhe në Konferencën Rajonale për femicidin, pra vrasjen e grave për shkak të gjinisë, në Evropën Juglindore, që po mbahet në Shkup.

 

Mesazhi është se femicidi nuk duhet të trajtohet vetëm si një incident i izoluar apo si një “tragjedi familjare”, por si forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore.

 

137 gra dhe vajza në ditë

 

Vlerësimet e fundit globale të UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin tregojnë se rreth 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë ose anëtarë të tjerë të familjes në vitin 2024.

 

Kjo nënkupton mesatarisht 137 viktima çdo ditë, ose pothuajse një grua apo vajzë çdo dhjetë minuta.

 

Në total, rreth 83 mijë gra dhe vajza u vranë qëllimisht në mbarë botën gjatë vitit 2024, ndërsa rreth 60 për qind e tyre u vranë nga partneri intim ose një anëtar i familjes.

 

Kjo e dhënë tregon rrezikun e veçantë me të cilin përballen gratë në sferën private. Sipas të njëjtave vlerësime, rreth 11 për qind e burrave të vrarë qëllimisht ishin viktima të partnerit intim ose të një anëtari të familjes.

 

Femicidi nuk fillon me vrasjen

 

Vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë është forma më ekstreme e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Por vrasja shpesh është vetëm akti i fundit i një procesi shumë më të gjatë.

 

Para saj mund të ketë sjellje kontrolluese, kërcënime, ndjekje, ngacmime, dhunë fizike dhe forma të tjera abuzimi. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i hershëm i rrezikut dhe reagimi i institucioneve mund të jetë çështje jete ose vdekjeje.

 

Prandaj, raste të tilla nuk mund të reduktohen në formulimet që dëgjohen aq shpesh pas një vrasjeje – “tragjedi familjare”, “xhelozi”, “grindje mes partnerësh” apo “marrëdhënie problematike”.