Bekim Sejdiu, kandidati i përbashkët i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u tërhoq nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
“Kandidatura ime nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.” Me këtë argument Bekim Sejdiu njoftoi vendimin se nuk do të jetë më kandidat për president të Kosovës.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai përsëriti se pranoi të jetë kandidat për President me qëllim zhbllokimin e ngërçit institucional.
“Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të gjenin forcë për tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione të qënsdrueshme në këto kohë të vështira dhe me plot sfida”, tha Sejdiu.
Sejdiu la edhe një këshillë për politikën e vendit të tij.
“Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë. Me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz”, tha ai.
Bekim Sejdiu ishte propozimi i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa bëri me dije se vendimin ua ka komunimuar edhe kryetarëve të dy partive.


