Përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut kanë zhvilluar një ndeshje miqësore futbolli me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Në njoftimin e Ambasadës thuhet se fusha e futbollit u shndërrua në një tjetër hapësirë takimi dhe komunikimi me të rinjtë, ndërsa përmes aktivitetit synohet promovimi i vlerave të respektit, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës.
“Sporti ka fuqinë të afrojë njerëzit. Loja e drejtë, respekti për tjetrin, disiplina dhe fryma e ekipit janë vlera që edukohen në fushë dhe na shoqërojnë edhe jashtë saj”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Nga përfaqësia diplomatike shqiptare theksojnë se futbolli mund të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e të rinjve, veçanërisht në një rajon të karakterizuar nga diversiteti etnik, fetar dhe kulturor. “Në një rajon me diversitet etnik, fetar e kulturor, futbolli krijon një gjuhë të përbashkët. Përmes tij afrojmë të rinjtë, nxisim dialogun, ndërtojmë besim dhe kultivojmë frymën e bashkëjetesës”, thekson Ambasada.
Në fund, Ambasada ka përgëzuar studentët dhe pjesëtarët e stafit të saj për energjinë, përkushtimin dhe frymën sportive të treguar gjatë ndeshjes. “Respekt. Përkushtim. Bashkëpunim. Këmbëngulje. Vlera që na bashkojnë”, përfundon njoftimi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë.




