LajmeRajon

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacioni, ndër çështjet më urgjente

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.

Stano i bëri këto komente pasi u pyet lidhur me zbatimin e marrëveshjeve në 11-vjetorin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiq më 19 prill 2013.

Zëdhënësi i BE-së në një konferencë për media tha se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh dhe jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi. E njëjta vlen edhe për marrëveshjet e tjera dhe duhet të zbatohen.

Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar, kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet ta zbatojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, theksoi Stano.

Sipas tij, nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre do të ketë pasoja serioze.

“…Dhe të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre. Të vetmit që do të paguajnë për këtë, do të jenë njerëzit në Serbi e Kosovë, nëse nuk ka lëvizje në përmbushjen e zotimeve që janë marrë në kuadër të dialogut”, u shpreh ai.

Sipas tij, zbatimi i marrëveshjeve është e lidhur me progresin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close