
Për shkak të borxheve të papaguara nga Komuna e Strugës, transportuesit i ndërprenë shërbimet kështu duke i lënë shumicën e fshatrave pa transport drejt qytetit.
Ndërprerja vjen në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, duke vënë në pikëpyetje edhe transportin e nxënësve nga këto vendbanime drejt shkollave.
Transportuesit kanë kërkuar që borxhet e prapambetura të paguhen brenda 15 ditësh. Ata thonë se kërkesat ia kanë dorëzuar Komunës që muajin e kaluar, por pasi deri tani nuk është gjetur zgjidhje, nga sot e kanë ndërprerë transportin.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra e konfirmoi se komuna ka borxhe ndaj transportuesve, por thotë se ato janë trashëguar nga pushteti i mëparshëm lokal.
Sipas tij, borxhi vetëm për transportin e nxënësve të shkollave fillore arrin në rreth 55 mijë euro.
Ai siguroi se komuna do t’i shlyejë detyrimet, por brenda dy deri në tre muaj, dhe jo brenda 15 ditësh, siç kërkojnë transportuesit.
Transportuesit, ndërkaq, thonë se një propozim i tillë është i papranueshëm për ata.



