
Disa nga emrat e kandidatëve për kryetar komuna nga radhët e LSDM–së do të bëhen publike në korrik, por lista e plotë pritet të dihet në fund të gushtit. Paralajmërimi vjen nga kreu i partisë Zoran Zaev, I cili tha se kandidaturat e reja do të vendosen sipas anketës së qytetarëve.
“Publikimi i emrave do të dihet kah fundi i gushtit, por nuk përjashtoj mundësinë që të publikojmë disa emra edhe gjatë korrikut, atje ku analizat do të kenë përfunduar. Presim nëpërmjet anketave, qytetarët të na thonë se çfarë ata preferojnë. Ky do të jetë udhëzuesi në selektim. E rëndësishme është të bëjmë selektimin e duhur të kandidatëve, partitë kanë rëndësi, por të vogël, vetë personaliteti është kyç për përzgjedhjen e një personi për t’u kandiduar.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: Kryetari i “Gjorçe Petrovit” i përfshirë në korrupsion
Analiza do ta përfshijë edhe kryetarin e komunës së “Gjorçe Petrovit”, Aleksandar Naumovskin, në komunën e të cilit promovuan sallën sportive. Ndërkohë VMRO DPMNE e akuzoi Naumovskin për përfshirje në aferë korruptive, ndërkohë kërkoi nga Prokuroria Publike të zbardh rastin.
“Ekziston tendencë në Gjorçe Petrov të behët furnizim me dy lavatriçe me vlerë ekstreme prej 25 mijë eurove. Furnizimi është shpallur nga kopshti Rosica, i drejtuar nga kuadër i kryetarit të komunës Aleksandar Naumovski. Shpallja ka zgjatur 15 ditë, kanë arritur dy oferta, njëra e pakompletuar. Është pranuar oferta dhe është nënshkruar marrëveshje.”,- theksoi zëdhënësi i VMRO – DPMNE – së, Naum Stoillkovski.
Akuzat e tilla përgënjeshtrohen nga vetë kryetari i komunës së “Gjorçe Petrovit” duke i cilësuar si lajme të rreme që kanë për qëllim të rrënojnë imazhin dhe sukseset e komunës në prag të zgjedhjeve lokale.



