
Leximin rus të bisedës telefonike e dha këshilltari diplomatik i Putinit, Jurij Ushakov, sipas të cilit gjëja më e rëndësishme është se Putin dhe Trump janë pajtuar plotësisht se “një armëpushim i përkohshëm, siç propozohet nga ukrainasit dhe evropianët, mund të çojë në zgjatjen e konfliktit”
Se nga anon zemra e presidentit amerikan, Donald Trump, në çështjen ukrainase është e qartë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Në prag të takimit të tij me Volodymyr Zelensky-n për të diskutuar versionin e rishikuar dhe të korrigjuar të planit të paqes, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se kishte pasur “një telefonatë produktive me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”. Menjëherë pas kësaj, Kirill Dmitriev, i besuari i Kremlinit në negociatat në zhvillim, u ngut në rrjetet sociale për të trumpetuar me entuziazëm njoftimin e Trumpit. Disa orë më parë, i dërguari i Putinit, i quajtur “Amerikani” për shkak se ka studiuar në Stanford dhe Harvard, kishte përcaktuar ritmin e ditës nga këndvështrimi i Moskës, duke ripostuar në “X” fotografinë e dy liderëve në Anchorage me komentin:
Ditë e rëndësishme sot në rrugën drejt paqes. Liderë të mëdhenj, dialog i ndershëm. Ndërtuesit e paqes dhe bota duhet të fitojnë. Nxitësit e luftës dhe mashtruesit duhet të pendohen.
Leximin rus të bisedës telefonike e dha këshilltari diplomatik i Putinit, Jurij Ushakov, sipas të cilit gjëja më e rëndësishme është se Putin dhe Trump janë pajtuar plotësisht se “një armëpushim i përkohshëm, siç propozohet nga ukrainasit dhe evropianët, mund të çojë në zgjatjen e konfliktit”. Fundi i armiqësive, shtoi diplomati, është i mundur vetëm nëse Kievi merr një “vendim të guximshëm për Donbasin”, domethënë të pranojë t’ia dorëzojë atë tërësisht Moskës, pavarësisht se trupat ruse aktualisht kontrollojnë vetëm një pjesë të tij.
Ushakov shpjegoi gjithashtu se Vladimir Putin ka pranuar një propozim nga pala amerikane për të vazhduar punën për zgjidhjen e krizës në dy grupe të veçanta: një i përkushtuar “aspekteve të ndryshme të sigurisë” dhe tjetri “çështjeve të natyrës ekonomike”. Në këtë drejtim, gjatë telefonatës, Trump thuhet se ka deklaruar se “lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo do të hapte perspektiva mbresëlënëse bashkëpunimi me Ukrainën dhe Rusinë”.
Para bisedës me Trump, Putin ishte shfaqur me uniformë ushtarake, duke përshëndetur sukseset në fushëbetejë të trupave ruse. Duke iu referuar takimit në Florida Trump-Zelensky, presidenti rus tha se amerikanët po i ofrojnë Ukrainës “kushte bazë të mira për të garantuar sigurinë e saj në afat të gjatë në perspektivën historike”, të cilat përfshijnë rikthimin e “marrëdhënieve të Rusisë me ekonominë ukrainase”. Nëse Kievi nuk do t’i pranonte këto kushte, Rusia sipas Putinit do t’i arrinte objektivat e saj në fushën e betejës. Por dje në Moskë folën pak a shumë të gjithë. U shfaq edhe Sergey Lavrov, i cili nuk është pyetur shumë për negociatat.
Në një intervistë për Tass, ministri i Jashtëm sulmoi Evropën dhe Bashkimin Europian, duke i cilësuar si nxitësit e vërtetë të luftës në këtë moment.
“Pas ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara, ata janë bërë pengesa kryesore për paqen”, tha Lavrov, sipas të cilit “europianët tashmë nuk e fshehin më se po përgatitin një luftë kundër Rusisë”. Me tone kërcënuese, kreu i diplomacisë ruse shtoi se “nuk ka arsye për të pasur frikë se Rusia do të sulmojë dikë”, por se “nëse dikush do të merrte në konsideratë idenë për të na sulmuar, do të pësonte një reagim shkatërrues”. Lavrov akuzoi gjithashtu Kievin për “shmangie të negociatave konstruktive”.
Ukraina, sipas tij, përpiqet të injorojë humbjet në terren në vend që të përgatitet për bisedime me Shtetet e Bashkuara “për një marrëveshje të qëndrueshme që zgjidh shkaqet në rrënjë të konfliktit”. Kjo e fundit, është shprehja e koduar e përdorur nga Putini dhe njerëzit e tij për të nënkuptuar neutralitetin e Ukrainës, dobësimin e saj ushtarak dhe dorëzimin e Donbasit. Regjimi ukrainas, sipas Lavrovit, “terrorizon civilët, duke goditur infrastrukturën e vendit”.
Në të vërtetë duhet shumë paturpësi për të thënë gjëra të tilla, në një moment kur Rusia bombardon ditë e natë kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth, duke shkaktuar dhjetëra viktima në mesin e popullsisë civile dhe duke synuar mbi të gjitha të lërë miliona njerëz pa energji elektrike dhe pa ngrohje. Por, në rastin e Sergey Lavrov, gënjeshtra është specialiteti i tij. (Corriere Della Sera)



