LajmeMaqedoniOpinion

Zeqirja Rexhepi, PËRFUNDIME – nga debati disaditor: “Kombi shqiptar dhe Perandoria osmane”

PËRFUNDIME
– nga debati disaditor: “Kombi shqiptar dhe Perandoria osmane”

Kombi shqiptar, për të pasur sukses në kohën e sotme, duhet angazhuar si – NJË, duke u bashkuar menjëherë politikisht, megjithëse më të afërt e kemi lidhjen shpirtërore me sloganin: “bashkimi bën fuqinë”. Në qoftë se bashkohemi, armiqtë e vjetër dhe të rinj nuk kanë se çfarë të bëjnë!
Rilindësit e kanë pasur shumë më vështirë se ne sot, e sërish e kanë gjetur “formulën” për bashkimin e forcave rreth një IDEJE, e cila është koduar në platformën e Lidhjes së Prizrenit – AUTONOMI – në katër vilajete me shumicë shqiptare!

“Formula” e bashkimit kombëtar, në kohën tonë qëndron në këto pikësynime:
1.Sot, më tepër se kurrë na nevojitet konsensus vëllazëror rreth identitetit kombëtar.

2.Bashkimi mbi themelet e vlerave mbarëkombëtare, si:
-Gjuha shqipe e njësuar (e folur dhe e shkruar), nëpër territoret mbarëkombëtare dhe Mërgatë;
-Historia kombëtare – personalitetet dhe heronjtë e kombit;
-Traditat e përbashkëta shekullore;
-Simbolet: gjuha, flamuri, monumentet historike…

3.Me urtësi të pranojmë se, kombi shqiptar është ngritur nga diversitete fetare, si një realitet historik:
-Institucionet fetare dhe udhëheqësit e tyre, ta kultivojnë tolerancën dhe mirëkuptimin kundrejt besimit tjetër te shqiptarët, duke ndikuar në popull. (Ata që nuk e kultivojnë tolerancën ndërfetare midis shqiptarëve, duhet “linçuar”!);
-Besimtarët shqiptarë, pa dallim feje, janë vëllezër të një gjaku.

4.Edukimi i brezave në frymën kombëtare duhet të mbështetet në dy shtylla kryesore – familja dhe shkolla:
-Çdo shqiptar të lind, të jetojë e të vdesë me respektimin e simboleve kombëtare;
-Çdo shqiptar t’i njohë dhe t’i respektojë personalitetet historike, të cilët janë angazhuar për identitetin kombëtar shqiptar, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare;
-Çdo shqiptar duhet ta dijë se, kryeheroi legjendar i KOMBIT është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe ne, sot, vazhdojmë ta jetësojmë idealin e tij.

5.Programi i Lidhjes së Prizrenit, i hartuar nga ideologu i madh, Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë, ndonëse i papërfunduar tërësisht, mbetet ëndrra dhe synimi ynë i sotëm drejt qëllimit përbashkues kombëtar e politik;
-Ideologët dhe intelektualët shqiptarë duhet unanimisht të vendosin për një qendër të përbashkët kombëtare: administrative, politike, kulturore dhe diplomatike (dy Akademitë shqiptare, e Shqipërisë dhe e Kosovës, duhet të kenë rol vendimtar).

6.Klasa politike – akademike, seriozisht duhet të angazhohet për një “Kuvend mbarëkombëtar”, në kryeqendrën (referuar pikës së mësipërme), ku do të kuvendohet për çështje me rëndësi mbarëkombëtare, si nevojë jetike për ruajtjen e bërthamës kombëtare shqiptare!

P.S.: “Dekalogu” i Mit’hat Frashërit përmbante 10 pika, ndërkaq Unë, pas ciklit të shkrimeve të postuara nxora këto përfundime. Besoj se çdo debat apo plotësim rreth këtyre çështjeve të shtruara do të ishte i mirëseardhur për kombin drejt “udhës” së mëtejme të tij!

Me respekt, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi

Related Articles

Back to top button
Close
Close