LajmeMaqedoni

Zemërim në rrugë, Parlamenti në pushim!

Vendimi i Parlamentit për të ndërprerë punën për dy javë pas tragjedisë në Koçan ka ngjallur reagime të ashpra. Kritikët e shohin këtë si shmangie nga përgjegjësia në një moment kur duhej analizuar situata dhe ndërmarrë masa. Komiteti i Helsinkit qasjen e Parlamentit e vlerëson si të papranueshme, ndërsa nisma “Kush është i radhës” përgatitet për protesta para Parlamentit.

Nuk rreshtin kritikat në adresë të Parlamentit, për faktin që ky institucion ka vendosur që pas tragjedisë në Koçan, të shkojë në pauzë dyjavore, duke anuluar të gjitha seancat e parapara, përfshirë edhe seancën për pyetje deputetësh. Nga Komiteti i Helsinkit këtë veprim të Parlamentit e shohin si mungesë përgjegjësie, duke thënë se është e papranueshme që deputetët të mos mbajnë seanca në momentin e një tragjedie të tillë, kur qytetarët presin përgjigje, kur duhet analizuar sistemi dhe të miratohen hapat e ardhshëm që mund të ndërmarrë Parlamenti në kuadër të kompetencave të tij. Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kujtojnë se funksioni legjislativ i Parlamentit është vetëm një nga funksionet themelore kushtetuese që ka, pasi institucioni i Parlamentit luan rolin edhe të përfaqësuesit dhe të mbikëqyrësit, ndërsa pyetjet parlamentare janë një nga format themelore të mbikëqyrjes mbi punën e Qeverisë dhe bartësve të tjerë të funksioneve publike.

“Parlamenti ka mekanizma përmes të cilëve mund të veprojë, siç është formimi i trupave punues të përhershëm dhe të përkohshëm për çdo çështje me interes publik. Në këtë rast konkret, sipas nenit 76 të Kushtetutës, Parlamenti mund të krijojë një Komision hetimor për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik dhe konstatimet e tij mund të përbëjnë bazën për përcaktimin e përgjegjësisë së titullarëve të funksioneve publike. Prandaj, është e pakuptueshme që Parlamenti, duke i pasur këto mekanizma në dispozicion, në vend që t’i përdorë, vendosi të mos mbajë seanca. Është logjike të shtrohet pyetja se cila është nevoja e ekzistimit të organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, kur përfaqësuesit e zgjedhur që e përbëjnë atë kanë vendosur të heshtin para qytetarëve që kanë zgjedhur në një kohë kur ata kanë më shumë nevojë për to”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit.

Ndërkohë, pushimi i deputetëve ka indinjuar edhe nismën qytetare “Kush është i radhës”, nga ku paralajmëruan që protestat të shtunën, më 29 mars, ti zhvendosin para Parlamentit. Në njoftimin për tubimin të publikuar në rrjetet sociale, nga iniciativa theksojnë “kur ata shkojnë në pushim, ne vijmë para Parlamentit”, duke aluduar në pauzën dyjavore të aktiviteteve të deputetëve në parlament pas tragjedisë në Koçan.

“Kur ata i mbushin valixhet, ne mbushim rrugën. Kur ata shkojnë në pushim, ne vijmë para Parlamentit. Jo sepse nuk kemi çfarë të bëjmë, por sepse kemi çfarë të themi. Pse mblidhemi para Parlamentit? Sepse nuk heshtim. Sepse kemi kërkesa që nuk mund të presin. Sepse demokracia nuk shkon në pushim”, thuhet në njoftimin për tubimin e iniciuar nga lëvizja “Kush është i radhës”.

Përndryshe, pas tragjedisë në Koçan, Parlamenti kishte vendosur që ti pezullonte aktivitetet e saja në afat një javor aq sa ishte periudha e ditëve të zisë në vend, por pastaj – më 24 mars, vendosi që Parlamenti ti mbajë dyert e mbyllura edhe për një javë tjetër, duke anuluar edhe seancën për pyetje deputetësh.

Related Articles

Back to top button
Close
Close