BotaLajmeTopLajm

Zelenskyy pretendon se mbi 80 raketa ruse u rrëzuan në mes të sulmit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se mbi 80 raketa ruse janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore në mes të sulmeve gjatë natës mbi infrastrukturën energjetike të vendit të tij, transmeton Anadolu.

“Sipas raporteve të para, janë lëshuar 93 raketa, përfshirë të paktën një raketë të Koresë së Veriut. Gjithsej 81 raketa u rrëzuan, 11 prej të cilave ishin raketa të kapura nga F-16-tët tanë”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale X.

Duke pretenduar se Rusia përdori gjithashtu gati 200 drone gjatë kësaj kohe, Zelenskyy e përshkroi sulmin si “një nga më të mëdhenjtë” që synonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

“Ky është ‘plani i paqes’ i Putinit për të shkatërruar gjithçka. Kështu ai i dëshiron ‘negociatat’. Ai nuk është as i kufizuar në aftësitë me rreze të gjatë dhe as në blerjen e komponentëve të nevojshëm për prodhimin e raketave”, tha ai.

Presidenti ukrainas gjithashtu tha se sulmi “masiv” i mbrëmshëm duhet të përballet me një reagim “masiv”, si dhe shtoi se sanksionet kundër Rusisë duhet të forcohen për të pasur një ndikim real në prodhimin e raketave të Rusisë.

Ofruesi privat ukrainas i energjisë ‘DTEK’ njoftoi në rrjetet sociale se një numër i paspecifikuar i termocentraleve të tij u vendosën në shënjestër gjatë sulmit ajror, duke rezultuar në dëmtime serioze të pajisjeve.

Guvernatori i qytetit Odesa, Oleh Kiper, tha se fragmentet nga një raketë e rrëzuar rezultuan në dëmtimin e një kompanie private transporti dhe tetë kamionësh.

Në rajonin lindor Ternopil, administrata ushtarake rajonale tha se gjysma e konsumatorëve të energjisë në rajon nuk kanë qasje në energji elektrike.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se filloi një sulm ajror masiv mbi objektet kritike të infrastrukturës së karburantit dhe energjisë në Ukrainë që mbështesin funksionimin e kompleksit ushtarak-industrial të vendit.

Ministria ruse tha se sulmet ajrore ishin një përgjigje ndaj sulmit të së mërkurës ukrainas me raketa ndaj aeroportit ushtarak Taganrog në rajonin jugor Rostov të Rusisë, gjatë së cilës Moska pretendoi se rrëzoi gjashtë raketa balistike ‘ATACMS’ të prodhuara nga SHBA-së dhe të lëshuara nga Ukraina.

Ukraina nuk komentoi incidentin e së mërkurës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close