
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet dhe sigurinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të punojë nën “lideshipin e fuqishëm” të presidentit Donald Trump.
Pavarësisht se pranoi se takimi me presidentin amerikan “nuk shkoi siç duhet”, lideri ukrainas përsëriti angazhimin e Ukrainës për paqen dhe lavdëroi Trumpin për ofrimin e raketave Javelin për ushtrinë ukrainase.
Zelensky shprehu angazhimin e fortë të Ukrainës për paqen dhe përfundimin e luftës që ka shkaktuar dhimbje dhe shkatërrim të madh për popullin ukrainas.
“Dëshiroj të përsëris angazhimin e Ukrainës për paqen. Asnjë nga ne nuk dëshiron një luftë të pafundme. Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të afruar paqen afatgjatë. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm të punojmë nën lideshipin e fuqishëm të presidentit Trump për të arritur një paqe që do të zgjasë”, tha ai.
Zelensky gjithashtu theksoi gatishmërinë e Ukrainës për të punuar shpejt dhe me efikasitet për të përfunduar luftën, “jemi të gatshëm të punojmë shpejt për të përfunduar luftën, dhe hapat e parë mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe një armëpushim në ajër – ndalimi i raketave, dronëve me rreze të gjatë veprimi, bombave ndaj energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile – dhe menjëherë një armëpushim në det, nëse Rusia bën të njëjtën gjë. Më pas duam të kalojmë shpejt përmes të gjitha fazave të tjera dhe të bashkëpunojmë me SHBA-në për të arritur një marrëveshje të fortë përfundimtare”.



