
Zëvendësministreja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot së bashku me ministrin Aleksandës Nikollovski dhe drejtorin për rrugë shtetërore Koce Trajanovski takuan drejtorin e BERZH-it, Fatih Türkmenoğlu ku u konfirmua se është përfunduar me sukses procedura për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Projektin do ta realizojë konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore e ndërtimit “Granit”, një lajm i rëndësishëm për sektorin ndërtimor dhe ekonominë e vendit, shkruan Top24
Po fillojmë ndërtimin e një autostrade të re, Shkup – Bllacë do të jetë arteria kryesore për lidhjen me Kosovën! 

Sot, së bashku me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanoski, dhe drejtorin e BERZH-it, Fatih Türkmenoğlu, zhvilluam një takim pune kushtuar realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, autostradës Shkup – Bllacë.
Në takim u konfirmua se, në bashkëpunim me BERZH-in dhe Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, është përfunduar me sukses procedura për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Projektin do ta realizojë konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore e ndërtimit “Granit”, një lajm i rëndësishëm për sektorin ndërtimor dhe ekonominë e vendit.
Autostrada Shkup – Bllacë është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor. Ajo përfaqëson një lidhje strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke mundësuar transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.
Ky projekt do të forcojë lidhjet ekonomike dhe tregtare, do të krijojë mundësi të reja për investime dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit. Në të njëjtën kohë, ai konfirmon përkushtimin tonë për ndërtimin e një infrastrukture moderne që afron njerëzit dhe hap perspektiva të reja bashkëpunimi.
Pas përfundimit të procedurave administrative dhe sigurimit të garancive të nevojshme, pritet të nisin punimet në terren.
Projekti parashikon ndërtimin e 5 tuneleve, 2 galerive dhe 12 urave, ndërsa së bashku me objektet e tjera infrastrukturore më të vogla, në terren do të realizohen gjithsej 40 objekte.
Bashkëpunimi i shkëlqyer me BERZH-in vazhdon të japë rezultate konkrete dhe mbetet një mbështetje e rëndësishme për realizimin e projekteve strategjike për vendin.



