
Një shtetase kanadeze me origjinë kineze është arrestuar në Belgjikë, pasi dyshohet se ka kryer veprimtari spiunazhi gjatë kohës që punonte si praktikante në selinë ushtarake të NATO-s.
Sipas Prokurorisë Federale belge, hetimi nisi pas një sinjalizimi nga shërbimet e sigurisë së NATO-s. Më pas, autoritetet zhvilluan kontrolle në banesën e të dyshuarës dhe në vendin e saj të punës brenda kompleksit të NATO-s.
Në një deklaratë zyrtare, prokurorët thanë se gruaja “dyshohet për spiunazh në favor të një shteti të tretë dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale”. Identiteti i saj nuk është bërë publik.
Punonte në selinë ushtarake të NATO-s
E dyshuara ishte praktikante në Supreme Headquarters Allied Powers Europe (SHAPE) në Mons të Belgjikës, qendra kryesore ushtarake e NATO-s përgjegjëse për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve të aleancës.
Sipas mediave ndërkombëtare, sjellja e saj kishte ngjallur dyshime, pasi qëndronte për periudha të gjata pranë ndërtesave të NATO-s dhe bënte pyetje që tërhoqën vëmendjen e shërbimeve të sigurisë.
Prokuroria belge ka bërë të ditur se gjykata ka urdhëruar mbajtjen e saj në paraburgim për një muaj, ndërsa hetimet vijojnë.
Autoritetet belge nuk kanë bërë të ditur se për cilin shtet dyshohet se po mblidheshin informacionet. Hetimet janë në zhvillim dhe nuk janë publikuar detaje të tjera mbi provat e mbledhura.
Si funksionon verifikimi i praktikantëve?
Sipas rregullave të SHAPE, verifikimi i sigurisë për praktikantët kryhet nga shteti anëtar që i sponsorizon. Në këtë rast, përgjegjësia i takonte Kanadasë.
Procesi i pajisjes me certifikatë sigurie mund të zgjasë nga tetë javë deri në 18 muaj, në varësi të procedurave kombëtare të secilit shtet anëtar të NATO-s.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë ka konfirmuar se dhënia ose revokimi i certifikatave të sigurisë për qytetarët kanadezë që punojnë në organizata ndërkombëtare bazohet në vlerësimet e Shërbimit Kanadez të Inteligjencës së Sigurisë (CSIS).
Reagimet – NATO ka deklaruar se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e personelit, ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe garantimin e sigurisë së aleancës.
Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) konfirmoi se po bashkëpunon me autoritetet belge, por nuk dha detaje të mëtejshme për hetimin.
Ndërkohë, ministri kanadez i Sigurisë Publike, Gary Anandasangaree, deklaroi se qeveria do të rishikojë procedurat e verifikimit të sigurisë.
“Është e rëndësishme të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe të analizojmë proceset tona të kontrollit të sigurisë”, u shpreh ai.



