
Zëvendësministreja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot ka qëndruar në aeroportin ndërkombëtarë të Shkupit ku së bashku me përfaqësuesit e TAV kanë promovuar aparatin tomografik i cili është i pari i këtij lloji në Ballkan që po vendoset në Shkup për sigurinë e udhëtarëve, shkruan Top24
TAV Maqedoni pajiset me skener tomografik për kontrollin e sigurisë – i pari i këtij lloji në Ballkan!
Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, shënuam një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve aeroportuale, me vendosjen në përdorim të sistemit të ri tomografik për kontrollin e sigurisë së bagazhit të dorës.
Ky investim me vlerë prej 1 milion eurosh sjell teknologjinë më të avancuar të kontrollit, duke mundësuar detektimin e pajisjeve dhe materialeve pa pasur nevojë që bagazhi të hapet, duke rritur sigurinë dhe duke lehtësuar e përshpejtuar qarkullimin e udhëtarëve. Ky është sistemi i parë i tillë i instaluar në një aeroport në Ballkan.
Modernizimi i aeroporteve dhe zgjerimi i rrjetit ajror po japin rezultate konkrete. Në dy vitet e fundit janë hapur 28 destinacione të reja ajrore, ndërsa këtë vit presim që numri i pasagjerëve të arrijë mbi 3,5 milionë.
Përmes bashkëpunimit me TAV Maqedoni dhe investimeve në infrastrukturë, po krijojmë kushte më të mira për udhëtarët, më shumë mundësi lidhjeje për qytetarët dhe një sistem ajror më konkurrues.
Vazhdojmë të punojmë që Maqedonia e Veriut të forcojë pozitën e saj si qendër rajonale ajrore, me lidhje më të mira me Evropën dhe botën. 



