
Kryeministri i vendit Zoran Zaev paralajmëron se do të bëjnë koalicione edhe për zgjedhjet lokale, parasëgjithash me siç i quajti ai, partnerët standard të koalicionit të tyre. Koalicionet, Zaev i arsyetoi duke thënë se fuqia dhe suksesi qëndron tek bashkimi. Ndërkaq shtoi se në zgjedhjet lokale më me rëndësi është figura e kandidatit që do të kandidojë se sa partia.
“Koalicione do të bëjmë, një pjesë do ta bëjmë në rrethin e parë dhe pjesën tjetër në rrethin e dytë. Me kë? Me partnerët standard të koalicionit, kjo është e sigurt. Fokusi jonë janë partitë shqiptare, ne kemi tre parti shqiptare në koalicion, BDI, Besa dhe PDSH, por kemi bashkëpunim edhe me partitë shqiptare në opozitë. Të gjitha sfidat që i kemi para nesh, dimë t’i zgjidhim, ulemi në tavolinë dhe i zgjidhim problemet. Nuk u ikim, nuk bëjmë konfrontime, por shtrëngojmë duart dhe tregojmë mirëkuptim”, ka deklaruar Zaev.
Zaev mohoi që LSDM dhe BDI të kenë biseduar për kandidat të përbashkët për kryetar të Shkupit. Sa i përket paralajmërimeve të BDI-së për diçka që do e bëjnë publike të shtunën, Zaev tha se bëhet fjalë për një platformë politike, perspektivë dhe e ardhme.



