RajonTopLajm

Vuçiq i përgjigjet presidentit Biden: Në Uashington kam treguar çfarë mendoj për njohjen e Kosovës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke falënderuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden për letrën e urimit për Ditën e shtetësisë së Serbisë, ka komentuar edhe kërkesën e presidentit amerikan për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq, siç transmetojnë mediat serbe, ka deklaruar se tashmë e ka thënë një herë në Uashington se çfarë mendon për njohjen e Kosovës dhe se përgjigjja e tij nuk do të jetë ndryshe.
“Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Faleminderit për urimet. Ndërsa sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore. Ne e kuptojmë se kjo është një politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë tashmë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Ai tha se detyra e tij është të mbrojë dhe mbrojë interesat e Republikës së Serbisë.

“Për ne është kjo një gjë shumë më e rëndësishme sesa dëshirat shqiptare dhe amerikane. Ne gjithashtu kemi dëshira, por edhe një realitet tjetër, dhe ne kemi një traditë liridashëse të popullit tonë. Kjo nuk është e këndshme sepse është e qartëse e gjithë iniciativa e politikës së jashtme amerikane do të shkojë në atë drejtim [arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi]”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, në një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ka kërkuar nga ai arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

Siç njoftojnë mediat serbe, në letrën e tij presidenti amerikan, duke uruar presidentin Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë.

Biden në letrën e tij veçanërisht theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke, transmeton Telegrafi.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën e Biden.

Related Articles

Back to top button
Close
Close