
Partia Demokratike ka kërkuar që ambasadorët dhe konsujt e Republikës së Kosovës të mos jenë edhe menaxherë të qendrave të votimit më 8 shkurt kur do të votohet fizikisht në hapësirave e ambasadave dhe konsullatat jashtë vendit.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u tha se ambasadorët dhe konsujt janë pjesë e politikës dhe nuk duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor.
“Do të ishte mirë që dikush nga kontigjenti i atyre që janë propozuar si diplomatë, jo konsujt dhe ambasadorët, dikush prej tyre të jetë edhe menaxher i asaj dite në ditën e zgjedhjeve kur mbahen”, deklaroi anëtari i KQZ nga PDK, Ilir Gashi.
Lidhja Demokratike u pajtua se në mesin e ambasadorëve dhe konsujve ka të emëruar politike dhe si menaxherë të qendrës kanë qasje në hapësirat ku do të ruhen votat.
“Te pjesa e notës verbale dhe te dhoma e sigurisë aksesin e kanë këta njerëz, nuk e ka tjetër kush, është një problem, te një notë verbale apo shirit diplomatik nënshkruan dhe jep, ai është personi, edhe të dhomës së sigurisë ai e ka çelësin dhe e mban”, u shpreh anëtari i KQZ nga LDK Sami Hamiti.



