LajmeRajonTopLajm

VON DER LEYEN: VENDIMI PËR HAPJEN NEGOCIATAVE ME SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË E VERIUT, VËRTETË HISTORIK

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti në seancën plenare të Parlamentit Evropian situatën e BE-së, një vit pas marrjes së detyrës në krye të institucionit ekzekutiv.

Në lidhje me vendet e Ballkanit, Presidentja e Komisionit përsëriti se vendet e rajonit janë pjesë e Evropës, që ndajnë të njëjtën histori dhe fat me BE-në, dhe se e ardhmja e tyre qëndron brenda Bashkimit Evropian dhe.

Znj. Von der Leyen tha se BE do t’u qëndrojë afër të gjitha vendeve edhe nëpërmjet paketës së rimëkëmbjes ekonomike që pritet të paraqitet në javët e para të tetorit nga Komisioni Evropian.

Duke u kthyer në vendimin e marsit të Këshillit të BE-së, ajo theksoi se dhënia e dritës jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte vërtet historike.

“Besimi është themeli i çdo partneriteti të fortë. Dhe Evropa do të jetë gjithnjë gati të ndërtojë partneritete të forta me fqinjët tanë më të afërt, e kjo nis me Ballkanin Perëndimor. Vendimi i gjashtë muajve më parë për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte vërtet historike.

Dhe në fakt e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron në Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori, ne ndajmë të njëjtin fat, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe ata nuk janë vetëm një vend-ndalim përgjatë rrugës së mëndafshit. Ne do të paraqesim së shpejti një paketë për rimëkëmbjen ekonomike me Ballkanin Perëndimor duke u përqendruar në një numër nismash për investime rajonale”, tha presidentja e KE.

Gjatë fjalimit të saj të gjatë për gjendjen e unionit, Von der Leyen u ndal në buxhetin e ardhshëm të BE-së, që është titulluar Bashkimi Evropian i brezit të ardhshëm, me investime të parashikuara në shëndetësi, një ekonomi rezistente ndaj krizave, të gjelbër dhe digjitale, si dhe në qasjen dhe solidaritetin e BE-së ndaj pandemisë COVID-19.

Presidentja e Komisionit foli gjithashtu për një rol më të forte të BE-së në botë, si dhe për domosdoshmërinë për të folur hapur ndaj vendeve që shkelin vlerat universale dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht peshës së tyre në ekonominë botërore apo ndërvarësinë ekonomike prej tyre.

Duke përmendur hapur Rusinë, ajo kujtoi se rasti i helmimit të kreut të opozitës Sergej Navalny, nuk është as e para dhe as e fundit herë, dhe se asnjë tubacion gazi nuk është më i rëndësishëm se përballja me Rusinë apo vende të tjera si Kina që shkelin të drejtat e Ujgurëve në mënyrë të hapur.

Von der Leyen foli gjithashtu për rëndësinë e rindërtimit dhe të forcimit të marrëdhënieve me partnerin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për rikthimin e kësaj të fundit në rolin e mëparshëm, së bashku më BE-në, për marrëveshjet e ndryshme në të mirë të zhvillimeve pozitive nëpër botë.

Një tjetër theks në lidhje me qasjen ndaj pandemisë, sipas Presidentes së Komisionit, ishte mënyra se si BE zgjodhi të ndihmojë dhe të jetë, jo e para për veten e saj, por e para për të ndihmuar kudo e me çfarë mundet në luftën kundër një sëmundjeje që mund të mundet vetëm nga bashkëpunimi i të gjithëve, dhe jo nga qëndrimet vetjake. /Euronews/

Related Articles

Back to top button
Close
Close