LajmeRajonTopLajm

Von Cramon: Nuk dua dhe nuk mund të ndikoj në punën e Speciales, politikanët në Kosovë po e përdorin vizitën time për qëllime të tyre

Pak ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi intervistimin e tij katërditor në Dhomat e Specializuara të Hagës, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, vizitoi Gjykatën Speciale duke e lavdëruar për punën e saj, shkruan lajmi.net,

E vizita e saj ngjalli mjaft reagime në Kosovë si nga sfera politike ashtu edhe nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje këta të fundit edhe kërkuan nga Parlamenti Evropian që ta shkarkojnë eurodeputeten Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon ka treguar për lajmi.net, edhe arsyen e vizitës së saj në Gjykatën Speciale.

Sipas saj vizitën në Hagë ajo e kishte planifikuar qysh më herët mirëpo siç bëri të ditur për lajmi.net, thotë se nuk ka mundur që të shkojë më parë.

Von Cramon thotë se nuk e ka ditur që presidenti Thaçi do të intervistohej po atë javë kur ajo vizitoi Gjykatën Speciale, duke shtuar se vizitat e saj nuk i planifikon bazuar në oraret e intervistave dhe se prokurori nuk ka ndarë me të asnjë informacion lidhur me intervistat.

“Arsyeja e vizitës time në Hagë ishte të mësoj se si zbatohet sundimi i ligjit, si funksionojnë këto institucione. Është detyra ime të mbledh sa më shumë informacione të jetë e mundur. Unë e kam planifikuar këtë vizitë për një kohë të gjatë, por për arsye të njohura nuk kam qenë në gjendje të shkoj në Hagë muajt e fundit. Nuk i planifikoj vizitat e mia bazuar në oraret e intervistave atje, veçanërisht sepse nuk e dija më parë se Thaçi do të intervistohej atje atë javë. Dhe duke qenë se Prokurori është shumë profesional dhe po bën një punë të shkëlqyeshme, ai as nuk ndau asnjë informacion me mua lidhur me intervistat”, ka deklaruar Von Cramon për lajmi.net.

E pyetur se si e sheh kërkesën e veteranëve të luftës për shkarkimin e saj. Von Cramon ka thënë për lajmi.net, se si duket vizita e saj është keqkuptuar. Von Cramon ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim në Gjykatën Speciale dhe se ajo nuk ka kurrfarë ndikimi mbi të dhe nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në punën e kësaj gjykate.

“Nëse ata mendojnë se unë do të doja ose mund të ndikoja në Dhomat e Specializuara ata janë duke e keqkuptuar situatën. Ose me siguri po e thonë këtë qëllimisht në këtë mënyrë edhe pse e dinë që nuk është e vërtetë. Ata duhet të kenë besim në Gjykatë se do të jetë në gjendje t’i mbajë përgjegjës individët për krimet e kryera gjatë luftës, gjë që kërkon pavarësi të plotë. Është detyra ime të kuptoj më mirë punën e sistemit juridik në Kosovë”, deklaroi Von Cramon për lajmi.net.

Von Cramon po ashtu ka thënë se të gjithë në Kosovë përfshirë edhe politikanët duhet ta kuptojnë se anëtarët e Parlamentit Evropian nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë në punën e Gjykatës Speciale.

Ajo tha për lajmi.net se ndoshta politikanët në Kosovë punën e Dhomave të Specializuara po e përdorin për  siç tha Von Cramon “luftën e tyre të përditshme politike”.

“Sinqerisht nuk e kuptoj se si munden anëtarët e Parlamentit Evropian të interferojnë në punën e Gjykatës. A mendojnë ata se u kam thënë se me kë duhet të intervistojnë? Apo u thashë atyre se çfarë rezultati i gjykimit duhet të jetë? Kjo nuk është si funksionojnë gjërat! Dhe politikanët në Kosovë e dinë shumë mirë se Bashkësia Ndërkombëtare bëri gjithçka për t’i bëri Dhomat dhe Prokurorinë të lira nga ndërhyrjet. Ata e dinë ligjin, i cili është pjesë e sistemit juridik kosovar, shumë prej tyre ishin ata që e futën atë në Kushtetutën e Kosovës, kështu që ata ndoshta e thonë këtë me qëllim që të përdorin punën e Dhomave të Specializuara në luftën e tyre të përditshme politike”, deklaroi Von Cramon për lajmi.net.

Show More

Related Articles

Back to top button
Close
Close