
Takimi joformal në Tiranë mes Liderëve të partive politike shqiptare të Maqedonisë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka ngjallur reagime të shumta te opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE.
Për partinë e Mickoskit, takimi në Tiranë po realizohet me kërkesë të kryeministrit Kovaçevski që synon të shpëtojë karrierat politike partnerëve të koalicionit.
“Takimi në Tiranë është vetëm një përpjekje për të shpëtuar qeverinë në largim, një takim për të shpëtuar karrierat dhe bizneset e BDI-së dhe disa njerëzve rreth Dimitar Kovaçevskit. Ai është shërbëtor i interesave të Ali Ahmetit. Për pak kohë do ta shohim shërbëtorin e dytë Dimçe Apasiev, i cili do të sillet si patriot vetëm me fjalë dhe pa vepra. Vendimet për Maqedoninë duhet të merren në Maqedoni.”, – deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
Lëvizja “Besa”: BDI kërkon ndihmën e Ramës për të dalë nga kriza
Nga Lëvizja ‘BESA” thonë se kur BDI nuk mund të menaxhojë situatën politike në vend kërkon ndihmën e kryeministrit shqiptar.
Ata paralajmërojnë se do të organizojnë një takim tjetër me kryeministrin Rama.
“Shumë shpejtë në një takim me zotin Rama, por si parti serioze, si parti e cila bën koordinim dhe jo si parti e cila në emër të koordinimit apo ndihmës që kërkon, shfrytëzon për interesa personale edhe Tiranën zyrtare, por edhe kryeministrin shqiptar.”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Lëvizjes “Besa”.
“Alternativa” pjesëmarrëse po, por jo mbrojtëse e agjendave të tjera
“Alternativa” e ka pranuar ftesën e kryeministrit Rama, por pa qëllimin që të hyjë në agjendat politike ditore të të ftuarve tjerë.
“Kemi agjendën tonë .. Një nga prioritetet është amandamenti për pengimin e vjetrimit të lëndëve që lidhen me korrupsionin politik. …Nuk do ta flijojmë kapitalin tonë politik për amortizimin e krizës partiake të dikujt.” thuhet në komunikatën me shkrim të Alternativës. (TVM2)



