LajmeMaqedoniTopLajm

VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së

Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), por arritje historike e shqiptarëve, ka deklaruar Driton Sulejmani nga VLEN në një konferencë për media, në prag të 25-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, përcjell Zhurnal.mk.

Sulejmani tha se Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar 25 vjet më parë, ndryshoi arkitekturën politike dhe juridike të shtetit, por sipas tij, zbatimi i saj në praktikë është devijuar dhe relativizuar.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së. Nuk është pronë e Ali Ahmetit e as trashëgimi familjare e klikës së tij. Ajo është arritje historike e shqiptarëve”, deklaroi Sulejmani.

Ai akuzoi BDI-në se për më shumë se dy dekada në pushtet e ka shndërruar Marrëveshjen e Ohrit në kapital politik, ndërsa, sipas tij, nuk ka arritur të garantojë me ligj përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe të përfundojë procesin e decentralizimit.

“BDI-ja për më shumë se dy dekada kishte pushtet deri në fyt. Kishte ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë dhe funksionarë në çdo cep të shtetit. Po të donin, sot përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të ishte i garantuar me ligj. Decentralizimi do të ishte çështje e kryer. Por nuk e bënë as njërën, as tjetrën”, tha Sulejmani.

Sipas tij, të drejtat e shqiptarëve nuk mund të lidhen me fatin politik të një partie.

“Të drejtat e shqiptarëve nuk shkojnë në opozitë bashkë me BDI-në. As Marrëveshjen e Ohrit nuk mund ta marrë Ali Ahmeti me vete në opozitë”, theksoi përfaqësuesi i VLEN-it.

Sulejmani tha se për VLEN-in Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument që përkujtohet në përvjetorë, por një obligim për ndërmarrjen e hapave konkretë.

Në këtë drejtim, ai veçoi nevojën për miratimin e një ligji që do të garantonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar këtë si zbatim dhe avancim të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, pjesë e këtij procesi është edhe decentralizimi i mirëfilltë, me më shumë kompetenca dhe mjete financiare për komunat. Sulejmani tha se VLEN po punon në këtë drejtim përmes realizimit të më shumë se 1.200 projekteve.

“Njëzet e pesë vjet më vonë, është koha t’ia rikthejmë dinjitetin Marrëveshjes së Ohrit. Jo vetëm si dokument juridik dhe marrëveshje që i dha fund konfliktit, por si arritje historike e shqiptarëve, e mishëruar në rendin kushtetues dhe si zotim i përhershëm për barazi”, përfundoi Sulejmani.

Related Articles

Back to top button
Close
Close